MItroMarion Mitro nuk e ka pranuar akuzën se ai është porositësi i disa atentateve me tritol. Në gjykatën e krimeve të rënda ai u paraqit në masa të rrepta sigurie. Seanca u zhvillua me dyer të mbylluara, por avokati i tij, i caktuar nga gjykata, tha se Mitro ka deklaruar para trupit gjykues, se disa nga objektivat e atentateve me tritol i ka miq.

Në “arrest në burg” u la edhe shtetasi me inicialet N.Gj, që tashme ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtesisë. Ishte ai që bëri denoncimin që çoi në pranga Mitron dhe autorin e atentateve, Julian Sinanajn. N. Gj iu drejtua policise pasi Sinanaj e kishte kërcënuar me vrasje, pas prishjes së një pazari. Bashkëpunëtori i drejtësisë kërkoi në gjykatë që t’i merret në mbrojtje familja.

Vetë Sinanaj ka pranuar autoresinë e të paktën 2 vrasjeve në Shqipëri. Sipas policisë së Tiranës ai ka deklaruar se ka kryer edhe 20 vrasje të tjera me pagesë në Greqi dhe ka vendosur një bombë në gjykatën e Selanikut për llogari të një politikani. Mediat greke shkruajnë se në vendin fqinj ai rezultonte vetem me nje penalitet per shkeljet e rregullave te qarkullimit rrugor. Edhe Sinanaj ka vendosur tashmë të bashkëpunojë me prokurorinë.