arbion aliko

Vëllezërit Aliko kanë dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda ku janë njohur me akuzën e vrasjes së efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha. Arbion dhe Alban Aliko, 19 dhe 17 – vjeç janë paraqitur në Gjykatë në orën 8:30 minuta dhe u deshën më shumë se 5 orë që gjykata të marrë vendimin.

Pretendimi i avokatit mbrojtës, Neshat Fana, se nuk ishte njoftuar për seancën, u bë shkak që ai të kërkojë përjashtimin e gjyqtares Flora Hajredinaj, nën argumentin se gjyqtarja ishte treguar e njëanshme.

Gjyqtari Dritan Hallunaj, në një proces të ndarë vendosi të rrëzojë kërkesën e avokatit, duke mos gjetur bazë ligjore ku mbështetej ky pretendim. Më pas u zhvilluan masat për dy vëllezërit.

I pari që doli para gjykatës ishte Arbion Aliko, i cili nuk deklaroi asgjë në sallë. Nën asistencën e një psikologeje u zhvillua dhe seanca për Alban Alikon. Gjykata vendosi t’i lërë në burg të dy vëllezërit, deri në përfundim të hetimeve.

Avokati, Neshat Fana në dalje të gjykatës u shpreh se, provat e paraqitura nga Prokuroria nuk vërtetojnë se klientët e tij kanë qëlluar me snajper drejt policit të vrarë.

Mësohet se, sipas të dhënave të Policise Shkencore, efektivi i RENEA –s, Ibrahim Basha është qëlluar nga një distancë prej 280 metrash. Ndërsa dy vëllezërit Aliko, sipas palës mbrojtëse, kanë qenë pranë grupit të zjarrit që gjendej rreth 30 metra larg furgonit të RENEA -s.

Avokati pranoi gjithashtu se dy vëllezërit janë dhunuar nga policia, por ai i justifikoi forcat e rendit.

Në burg u lanë edhe Dariol dhe Serxho Shehu, të dyshuar si pjestarë të grupit në sulmin ndaj forcave RENEA. Të vetmit që kanë pranuar të flasin deri tani janë Xhulion Malo dhe Klodian Selimi. Të tjerët nuk kanë pranura të japin shpjegime.

Tv Klan