Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Jurgen Muhon dhe Eraldo Kataroshin, të cilët u arrestuan tre ditë më parë duke transportuar 3 mina me celular, në Tiranë.

I pari që doli para gjykatës ishte 24 – vjeçari Muho, i cili nuk ka thënë asgjë në lidhje me ngjarjen. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe miku i tij 19 – vjeçar, duke sqaruar se ishin dakord me avokatin e tyre.

Nga ana e tij, mbrojtësi i të arrestuarve i ka kërkuar gjykatës shpalljen si të paligjshëm të përgjimeve që janë kryer në Drejtorinë e Policisë ndaj dy të rinjve.

Sipas prokurorit përfshirja e tyre në trasportin dhe më pas shitjen e minave është provuar. Në paraburgim ata janë përgjuar duke thënë se nuk duhet ta nxirrnin emrin e personit që ia morën bombat në Elbasan.

Jurgen Muho i ka thënë hetuesve se kishte pranuar të bënte transportin e një pakoje që nuk e dinte ç’kishte në të.

Ndërsa Kataroshi i dyshuar si organizator, ende nuk ka pranuar të flasë për akuzat dhe personat e tjerë të përfshirë.

Dyshimet e hetuesve janë se bombat artizanale janë prodhuar në Vlorë, nga një person për të cilin burimet e policisë thonë se kanë informacione konkrete dhe e mbajnë nën vëzhgim. Minat do të shiteshin rreth 1500 euro copa.

Tv Klan