Burg përjetë për Roland Bushin, shqiptarin që vrau Aliona Oleinic. 11 herë e goditi ai 33-vjeçaren moldave me të cilën mendohet se ishte i dashuruar. Gjykata e Apelit e L’Auqila la në fuqi vendimin e Gjykatës së Chieti për burgim të përjetshëm për shqiptarin.

Gjykata kur dha vendimin nuk mori parasysh akuzën e prokurorisë se vrasja është bërë me paramendim. Por gjykata pranoi rrethanat e tjera rënduese të vrasjes, ku Bushi e ka bërë vrasjen për arsye të xhelozisë. Shqiptari e ndoqi seancën nga burgu i Frosinones përmes lidhjes me video. Ai ripërsëriti kërkesën e tij për falje.

Avokati mbrojtës i shqiptarit kërkoi një dënim më të butë. Ai përmendi disa raste të tjera të ndodhura në Itali, kur një burrë vrau po ashtu me thikë gruan për xhelozi ndërsa e gjithë ngjarja ndodhi në sy të tre fëmijëve. Po ashtu, avokati argumentoi se Bushi menjëherë pas vrasjes ka qëndruar në vend, është rrëfyer, është penduar dhe këtë gjë e ka përsëritur edhe sot.

Ngjarja e rëndë a ndodhur në vitin 2019 më 3 Shtator. Mediat shkruajnë se mëngjesin e asaj dite me shi, Aliona, e cila punonte në një klub nate do të dilte në oborrin e shtëpisë dhe do të vdiste. Muratori shqiptar 30-vjeç e kishte njohur 33-vjeçaren në vendin e saj të punës dhe pasi e kishte kontaktuar në Facebook i ishte shfaqur para shtëpisë.

Ai ka thënë se ka kërkuar që të sqaronte marrëdhënien me 33-vjeçaren dhe se nuk donte që ta vriste, por e ka goditur 11 herë në bark me thikë. Moldavja përfundoi në spital në gjendje shumë të rëndë, derisa ndërroi jetë më shumë se 1 muaj më vonë./tvklan.al