Gjykata Themelore e Shkupit dha dënimet për pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjen e datës 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në “lagjen e trimave”.

Gjithsej u dënuan 37 persona, 7 prej të cilëve me burgim të përjetshëm.

Andi Krasniqi, burg i përjetshëm

Dem Shehu, burg i përjetshëm

Fadil Fejzullahu, burg i përjetshëm

Nasuf Zeqiri, burg i përjetshëm

Valdet Zekaj, burg i përjetshëm

Bek Bajra, burg i përjetshëm

Fejzulla Rushitovski, burg i perjetshëm

Trembëdhjetë prej të dënuarve do të vuajnë 40 vjet heqje lirie, 6 prej tyre nga 20 vjet burg, ndërsa të tjerët më pak se 18 vjet. Gjykata liroi nga akuzat 4 persona. Shumica e të dënuarve janë shtetas kosovarë, të cilët gjykata i cilësoi organizatorët e ngjarjeve të rënda në Kumanovë.

Avokatët mbrojtës të të dënuarve thanë se ngjarja u inskenua nga shërbimet sekrete maqedonase që kishin për qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga kriza politike e nxitur nga skandali i përgjimeve, i cili asokohe përfshiu zyrtarët më të lartë të shteti.

Në përplasjen luftarake dyditore u vranë 10 agjentë të policisë maqedonase dhe 8 pjesëtarë të grupit të armatosur në mesin e të cilëve edhe dy ish-komandantë të UÇK-së. Grupi i armatosur deklaroi asokohe se aksioni i tyre në Kumanovë ishte në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

/Tv Klan