Dy kunetërit shqiptarë Ferdinand Gjolla dhe Armand Mekolli në bashkëpunim me shoferin polak Marek Niedziechi tentuan të fusnin 1 sirian dhe 19 shqiptarë në Britani me anë të një kamioni që vinte nga Holanda në bordin e një anijeje.

Policia kufitare e ndaloi kamionin që supozohej se transportonte pajisje elektroshtëpiake, në terminalin e portit Tyne në North Shields më 1 shtator 2015, pasi nuhatën një erë të pakëndshme që vinte prej brendësisë së automjetit.

Niedziechi i cili punonte për një firmë me baza në Varshavë, në Poloni u tha hetuesve se kishte udhëtuar nga Rimini, përmes Luksemburgut, Belgjikës dhe Holandës për t’i transportuar emigrantët më pas për në Britani.

                                       

 Shoferi i kamionit Marek Niedziechi dhe shqiptari Ferdinand Gjolla

33-vjeçari i cili kishte fshehur grupin e emigrantëve të paligjshëm në kamionin e tij tha për policinë se gjithçka ishte bërë pa dijeninë e tij.

Në gjykatë u deklarua se polaku kishte bashkëpunuar me shqiptarët për t’i futur emigrantët në Britani dhe kishin marrë në total një shumë prej 140.000 £.

Marek Niedziechi u dënua me 5 vite burg ndërsa organizatori i trafikimit 41-vjeçari Ferdinand Gjolla u dënua me 8 vite burg.

Armand Mekolli 30 vjeç, i cili i ndihmonte emigrantët sapo mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar iu dha dënimi me 3 vite e 3 muaj burg./tvklan.al