Një burrë në Britaninë e Madhe është prekur nga super-gonorrhoea, më e keqja e konstatuar deri më tani në të gjithë botën. Sipas “BBC”, ai kishte një partnere të rregullt në Britani, por u prek nga supervirusi gjatë një marrëdhënie seksuale me një grua në juglindje të Azisë.

Instituti Shtetëror i Shëndetit Publik në Angli thotë se ky rast përbën të parën herë që infeksioni nuk mund të kurohet nga antibiotikët që përdoreshin deri më tani për raste të ngjashme. Zyrtarët thanë se po shikojnë për partnere të tjera të mundshme me të cilat burri mund të ketë kryer marrëdhënie seksuale, në përpjekje për të parandaluar më tej përhapjen e virusit të rrezikshëm.

Burri, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u prek nga sëmundja më herët gjatë vitit 2018. Antibiotiku parësor për kurimin e gonorrhoeas – një kombinimi i azithromycinës me ceftriaxonen – nuk ka arritur ta trajtojë infeksionin.

“Kjo është hera e parë që një rast i tillë shfaq një nivel kaq të lartë rezistence përballë antibiotikëve”, tha Dr Gwenda Hughes. Pas diskutimeve të mbajtura në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrat Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve, u provua se diçka e ngjashme nuk kishte ndodhur kurrë më parë në botë.

Sëmundja e gonorrhoeas shkaktohet nga një bakter i quajtur

Neisseria gonorrhoeae.

Infeksioni përhapet përmes seksit të pambrojtur oral dhe vaginal. Simptomat e kësaj sëmundjeje mund të përfshijnë dhimbje gjatë urinimit dhe gjakderdhje mes periodave. Në rast mostrajtimi të duhur, infeksioni mund të kalojë edhe tek fëmija gjatë shtatzënisë. Burri i prekur nga super-gonorrhoea tashmë po trajtohet me antibiotikë të rinj, rezultatet e të cilëve do të shihen muajin e ardhshëm./tvklan.al