Dialogu 3 ditor në Korçë mes 2 ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë u mbyll pa ndonjë rezultat konkret.

Të paktën kështu rezulton nga ajo që thuhet në deklaratën e përbashkët të dy delegacioneve.

Në deklaratë vlerësohet se është bërë përparim thelbësor, por nuk jepet informacion nëse është gjetur dakordësi për ndonjë nga shumë çështjet që kërkojnë zgjidhje mes 2 vendeve.

“Në vijim të takimit që u zhvillua në Kretë Nëntorin e kaluar, të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura, në përfitim reciprok të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, në përputhje me vlerat dhe normat evropiane”,

thuhet në deklaratë.

Theksohet se diskutimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore e konstruktive dhe se të dyja palët përsëritën angazhimin e tyre për të ndjekur më tej dialogun në të gjitha nivelet në muajt në vijim.​

Dialogu duket se përfshin edhe dy kryeministrat, për të cilët flitet se do të kenë një takim në muajin Prill.

Çështjet kryesore në tryezën e dy delegacioneve ishin kërkesa e Shqipërisë për heqjen e ligjit të luftës, për të cilin vetë Kotzias është shprehur se është i pakuptimtë, dhe përcaktimi i kufirit detar.

Por palët kanë preferuar të mos japin informacione se në ç’fazë kanë përparuar negociatat për këto dy tema.  

Takimi 3 ditor i Korçës pasoi atë të Kretës në mesin e muajin Nëntor, ku po ashtu palët dakortësuan që rezultatet e bisedimeve të mos bëheshin publike. Por një prej marrëveshjeve të Kretës nis të zbatohet të hënën.

Në Dragot të Tepelenës nisin gërmimet për nxjerrjen e eshtrave të ushtarëve grekë, në prani të ekspertëve dhe komisionit të përbashkët Shqipëri-Greqi.

Gërmimet pritet të shtrihen deri në zonën e Korçës pasi pala greke pretendon se janë afro 8 mijë ushtarë të rënë gjatë luftës, eshtrat e të cilëve do të vendosen në 2 varrezat për ngritjen e të cilave është arritur dakortësia mes 2 vendeve.

Tv Klan