Në përfundim të ditës së dytë të negociatave mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, në një hotel privat në Korçë, ka thyer heshtjen kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati. Në një prononcim të shkurtër për gazetarët, Bushati thotë se deti tani është bërë progres.

“Dua t’ju përgëzoj për durimin që keni treguar. Së pari dua t’ju them se këto nuk janë bisedime të lehta pasi problematika është e gjerë dhe shtrirë në kohë pasi bëhet për 70 vjet histori. Edhe në Korçë kemi bërë progres të qenësishëm”.

Ministri i Jashtëm shqiptar zbulon se nga dita e fundit e negociatave të dielën priten zhvillime të rëndësishme. 

“Nesër gjithashtu do të bëjmë një takim të rëndësishëm për vijimin e bisedimeve. Nuk ka asgjë sekret se temat janë thënë publikisht nga të dyja palët. Thjesht jemi në procesin e shkëmbimit të mëtejshëm të argumenteve dhe shpresoj që do të ecim drejt një zgjidhje konkrete”.

Pas 48-orësh bisedime Bushati dhe Kotzias kanë ndjekur një koncert të grupit Lira dhe vizituan muzeun e artit mesjetar të këtij qyteti.  

Palët kanë qenë tejet diskrete sa i përket ecurisë së bisedimeve. Progres raportohet të jetë bërë lidhur me shfuqizimin e Ligjit të Luftës, pronat apo problemet konsullore. Më e vështirë konsiderohet çështja e kufirit detar, ku ende nuk ka të dhëna se në ç’pike kanë avancuar negociatat.

E vetmja çështje që tashmë konsiderohet e tejkaluar pas vendimit të qeverisë shqiptare është ajo e  varrezave për ushtarët greke të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku pritet të nisë zbatimi i marrëveshjes mes dy vendeve. Burime i thanë televizionit Klan se po negociohet për një takim mes kryeministrave Rama e Cipras ne muajin Prill.

Por teksa delegacionet e dy vendeve rinisën bisedimet , përpara hotelit  ku zhvillohej takimi qytetarë nga Lezha  protestuan për rastin e Pëllumb Marnikollajt, i cili humbi jetën gushtin e dy viteve më parë teksa mbahej i arrestuar në një komisariat të Athinës.  Ekspertiza doli në përfundimin se i riu vdiq pasi u hodh nga një lartësi e madhe, por familjarët nuk janë të bindur në vërtetësinë e saj.  Me pankarta në duar ata kërkuan zbardhen e ngjarjes dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Tv Klan