Detyrimet e prapambetura janë një gangrenë që nuk i kanë shpëtuar buxhetit të shtetit edhe gjatë vitit 2016-të. Drejtoria e kontrollit financiar të brendshëm, një strukturë që varet nga ministria e Financave, ka hartuar një raport të detajuar për performancën e të gjitha Ministrive dhe Bashkive në Shqipëri të cilat menaxhojnë fondet publike.

Në rankimin që ka bërë për elementët se si është menaxhuar buxheti, pikët më të pakta i ka marrë zëri i krijimit të detyrimeve të prapambetura. Raporti i siguruar nga Tv Klan nënvizon si shqetësues faktin e rritjes së borxheve ndaj palëve të treta nga ana e bashkive. Auditi financiar ka arritur të konstatojë gjatë vitit që shkoi edhe një dukuri që ka ndodhur në pjesën dërrmuese të institucioneve shtetërore: ndarjen në shuma të vogla të prokurimeve publike me qëllim që të shmangej tenderi i hapur, dhe kontrata të negociohet nga zyrat e drejtorive në ministri.

“Në fushën e prokurimeve, blerjeve dhe investimeve, janë konstatuar mangësi në përcaktimin dhe zgjedhjen e formës së prokurimit, copëtimin e fondeve deri në kufirin e shumës 800 mijë lekë për të shmangur procedurat e prokurimit me tender të hapur, kualifikimin e subjekteve, aplikimin e kushteve të kontratave etj.” Dëmi ekonomik në këtë fushë nga subjektet që janë kontrolluar në 2016-ën për tendera, ankande dhe koncesione arrin në vlerën 2.1 miliard lekë, ose 20 milion dollarë. Raporti rankon edhe institucionet që kanë pasur performancën më të mirë të kontrollit të brendshëm , ku i pari del institucioni i presidentit, i ndjekur nga KLSH dhe ILDKPKI.

Në listën e rekomandimeve që bën për ministritë, njësia e auditit dhe kontrollit financiar në ministrinë e Financave sheh si të domosdoshme ngritjen e sistemeve të kontrollit për ministrinë e Shëndetësisë, e cila ende nuk ka arritur të ndërtojë një manual auditi për  buxhetin dhe risqet që i vijnë nga kontratat e lidhura. Me rënie në performancë shihen ministria e Bujqësisë, e drejtësisë, Mirëqënia sociale dhe transportet. Tv Klan