Byroja Kombëtare e Sigurimit vazhdon të akumulojë borxhe ndaj palëve të dëmtuara në aksidente. Detyrimet e hershme përpara vitit 2013-të, të cilat duhet të ishin shlyer me kohë, arrijnë në vlerën 4.6 milion dollarë.

Kjo situatë ka detyruar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare që të thërrasë një mbledhje dhe të lerë si afat të fundit shlyerjen e shumës deri në fund të këtij viti. Vendimi i bordit të AMF-së urdhëron drejtorinë e mbikëqyrjes së tregut që të ndjekë ecurinë e zbatimit dhe dhënies së pagesave çdo muaj.

Një tjetër urdhër për Byronë është edhe krijimi i fondit të kompensimit për detyrimet pas vitit 2014-të, të cilat arrijnë në 1.5 milion dollarë. Funksionimi i Byrosë së Sigurimeve ka qenë një nga problemet më të mëdha që ka hasur Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

 Së fundi, AMF ka urdhëruar edhe fillimin e një auditi për pagesën dhe mënyrën e shpërndarjes së fondeve te palët e dëmtuara. Byroja është përgjegjëse që të dëmshpërblejë palët të cilat nuk kanë ku të marrin pagesat për dëmet. Disa muaj më parë emisioni stop në TV KLAN denoncoi dy raste që kishin vite pa marrë paratë e dëmshpërblimit nga kjo agjenci./ TV KLAN