Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako dhe zyrtarë të tjerë të policisë janë takuar me përfaqësuesit e Misioneve që asistojnë Policinë Shqiptare dhe oficerët ndërlidhës policorë në vendin tonë.

Gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u diskutua për luftën kundër krimit, terrorizmit, e krimeve ndërkufitare.

Në fjalën e tij, Çako u shpreh se rezultatet e deritanishme të arritura nga Policia e Shtetit janë mjaft pozitive dhe optimiste në drejtim të goditjes së fenomeneve të paligjshmërisë si:

 – lufta për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe të trafikimit të lëndëve narkotike në tërësi, (si prioritet shumë i rëndësishëm që Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Brendshme e ka fokusuar shumë gjatë vitit 2017).

 – lufta kundër krimit të organizuar,

 -hetimi dhe goditja e grupeve kriminale

 –  lufta kundër trafiqeve të ndryshme të paligjshme

 – puna e Policisë për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike

 – lufta në kontrollin dhe goditjen e radikalizmit

 – lufta ndaj fenomeneve të tjera të karakterit të terrorizmit

 -realizimin me sukses të detyrave dhe objektivave që lidhen me menaxhimin e integruar të kufijve

 -kontrollin e fluksit të migratorëve

 -si dhe mbi menaxhimin e suksesshëm të proçesit zgjedhor 2017

 Kreu i Policisë së Shtetit ka vlerësuar mbështetjen e partnerëve të rajonit e më gjerë.

“Puna e Policisë së Shtetit është në parametra shumë optimiste , pasi vetëm për këtë periudhe 6 mujore janë goditur një sërë organizatash dhe grupesh kriminale  që kanë tentuar dhe kanë synuar trafikimin e lëndëve narkotike.

Mund t’ju informoj se puna e bërë deri tani për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike është shumë domethënëse dhe shume optimiste,  pasi është kontrolluar dhe është punuar intensivisht që nga fillimi i vitit për kontrollin e të gjithë territorit, të gjitha hapësirave ose objekteve ku mund të kultivohej ose mund të magazinohej lënda narkotike, por edhe  ku mund të përdoreshin për kultivimin në forma të ndryshme si në laboratorë, tunele, sera ose edhe në vende të identifikuara më parë të hapura, si hapësira për kultivim gjatë vitit 2016 ose në vitet e tjera më parë .

Po kështu , mund t’ju them se ne vazhdojmë punën intensivisht edhe në aspektin e hetimit të grupeve kriminale të cilat janë të organizuara për trafikim, ndonëse ka një rritje të potencës të goditjes policore , janë të evidentuar pjesa më e madhe e grupeve kriminale dhe vazhdojmë shkëmbejmë informacion me partnerët dhe me vendet e tjera të rajonit të lidhura me këtë aktivitet”

, theksoi Haki Çako.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Misioneve dhe Oficerët Ndërlidhës Policorë, vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë të deritanishëm me Policinë e Shtetit, transparencën, informimin në kohë gjatë procesit zgjedhor,  ku theksuan se ky bashkëpunim dhe kjo mënyrë komunikimi duhet forcuar më tej në interes të realizimit të prioriteteve të përbashkëta.

/tvklan.al