Paguhet rreth 700 mijë euro në javë, por me atë çka ka dhënë në fushën e lojës nuk është në nivelin e kësaj page.

Presidenti i Shanghai Shenhua, Wu Xiaohui, ka deklaruar se Carlos Tevez nuk i ka përmbushur pritshmëritë në Super ligën Kineze të futbollit. Ish-futbollisti i Manchester United është kritikuar shumë se fundmi për performancën e dobët si dhe gjendjen e tij fizike.

Qëllimi ynë ishte të afronim një futbollist me cilësi dhe ne jemi ende të bindur se Teves i ka mundësitë për të justifikuar shumën me të cilën paguhet, ka thënë presidenti për televizionin e Shangait. Sipas tij gjendja jo e mirë e futbollistit vjen nga mungesa e fazës përgatitore me skuadrën gjatë dimrit.

Paraqitja e 33-vjeçarit është ironizuar edhe nga tifozët e skuadrës së tij, ndërsa trajneri ka kërkuar që ai të ulë peshën e tij trupore. Në 13 ndeshje Tevez ka shënuar vetëm 3 gola.

Ekipi i Shenhua është në vendin e 12 të renditjes së Superligës kineze me 16 skuadra.

Tv Klan