gaddafi-golden-gun

Vdekja e Muamar Gedafit shënoi njëherësh fundin dhe fillimin në Libi. Këto pamje të shfaqura për herë të parë në reportazhin e BBC “Në kërkim të pistoletës prej floriri të Gedafit”, tregojnë momentet e fundit të ish-diktatorit.

Me fytyrën e përgjakur, në rimorkion e një kamioni, Gedafi u lutet luftërarëve të opozitës për jetën. Ai është rrahur keq. Breshëri armësh dëgjohen, ndërsa rreth tij është një grup i pakontrolluar i armatosur, të cilët festojnë triumfin.

Gazetari i BBC-së, Gabriel Gatehouse, i cili në vitin 2011 kishte bërë një foto me pistoletën prej floriri të ish-kolonelit u rikthye në Misrata në mes të kaosit që mbizotëron në Libi. Pistoleta 9 mm Brouning, e larë në ar, me lule të gdhendura është në duart e Mohamed Elbibi. Kur e panë me këtë pistoletë që ishte prodhuar në Belgjikë, Elbibi u konsiderua heroi i Libisë, megjithëse ai i lutet gazetarit të BBC-së t’i thotë botës se nuk ishte ai që e vrau ish-diktatorin.