Kryebashkiaku Erion Veliaj i ka dorëzuar sot Çelësin e Qytetit këngëtares së njohur me origjinë shqiptare, Dua Lipa. Në një pritje të organizuar në ambientet e Bashkisë së Tiranës, Veliaj i ka shprehur mirënjohjen këngëtares me famë ndërkombëtare dhe i ka dorëzuar asaj një prej simboleve që u jepet miqve të qytetit. Në një njoftim të shpërndarë për mediat thuhet se, Veliaj u shpreh shumë i lumtur që po i dorëzon Çelësin e Qytetit një vajze që frymëzon shumë njerëz.

 

“Tani Prishtina dhe Tirana janë një, kështu që nuk je veç gocë e Prishtinës dhe e Kosovës, je edhe e Shqipërisë dhe e Tiranës. Unë jam shumë i lumtur për ty dhe në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës dua që ta ruash Çelësin dhe të kthehesh sërish këtu, teksa shkëlqen e bëhesh më e famshme, duke frymëzuar shumë njerëz”, tha

Veliaj.

Veliaj tha se Dua Lipa është një histori frymëzimi dhe se pret me padurim që historinë e saj ta ndajë me ne edhe sot në qytet.

“Besoj që është një mënyrë për të frymëzuar djem edhe vajza të rinj që ta ndjekin këtë model dhe të kuptojnë që me punë, me energji, me talent mund të kapen gjëra që ndoshta duken të pamundura, por që njerëz si ty e provojnë që mundet me ia dalë. Besoj që për shumë djem dhe vajza, Dua Lipa është një histori frymëzimi dhe mezi pres që historinë e saj ta ndajë me ne edhe sot në qytet”

, u shpreh Veliaj.

Nga ana e saj, këngëtarja Dua Lipa tha se për të është një privilegj që ndodhet në kryeqytetin shqiptar për të performuar.

“Është një privilegj shumë i madh për mua të vij pas një kohe shumë të gjatë dhe të më prisni në Tiranë. Dua të theksoj se ndjej një përgjegjësi shumë të madhe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Jam shumë krenare që jam shqiptare dhe ju falenderoj shumë për këtë mundësi që të jem me të gjithë shqiptarët”,

u shpreh Dua Lipa.

Këngëtarja pritet të performojë në sheshin “Nënë Tereza”, një koncert i organizuar në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës./tvklan.al