Gazetari i Tv Klan:

Ky është rrethimi lindor i aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Siguria e tij u thye dy ditë më parë, pasi persona ende të paidentifikuar çanë rrethimin e jashtëm të tij, duke u futur brenda.

Shenjat janë te dukshme ndonëse të çarat janë mbyllur. Por kjo ngjarje që vjen shtatë muaj nga grabitja spektakolare e një furgoni që transportonte paratë e një banke të nivelit të dytë e vë sërish në pikëpyetje sigurinë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në Shqipëri.

Grabitja e muajit qershor kur disa persona hynë me makinë dhe të armatosur në pistë, duke hapur një nga dyert e rrethimit të jashtëm, ngriti një furtunë kritikash mbi përgjegjësit e sigurisë së aeroportit.

Koncesionari që menaxhon Rinasin dhe kompania ICST që menaxhon sigurinë deklaruan se kishin shtuar masat.

Por prerja e telave dy ditë më parë dhe konstatimi i kësaj ngjarje disa ore pasi kishte ndodhur e vë sërish në dyshim sigurinë e aeroportit me taksat më të shtrenjta në rajon.

Policia ka nisur hetimet dhe dyshon se autorët mund të jenë banorë të zonës që kanë tentuar të vjedhin karburant nga avionët.

Ndërsa ekspertë të sigurisë thonë jashtë kamerave se ngjarja është e rëndë për sigurinë, pasi të njëjtin veprim mund ta ndërmarrin edhe persona që kanë për qellim të kryejnë akte të tjera kriminale apo terroriste.

ICTS ka shtuar patrullimet si ne rastin e grabitjes së qershorit dhe si për ta treguar këtë, një personel i saj e ndoqi grupin e xhirimit të Tv Klan përgjatë gjithë kohës së filmimeve jashtë pistës./ TV KLAN