Lorik Cana vari këpucët në gozhdë menjëherë pas finaleve të Euro 2016. Ish-kapiteni i Kombëtares  do të ketë një ceremoni të veçantë për mbylljen e karrierës, pikërisht në sfidën e 9 tetorit Shqipëri – Itali që do të luhet në Shkodër.

Federata Shqiptare e Futbollit mendoi këtë përballje si më të përshtatshmen që do të mbyllë edhe kualifikueset e Botërorit 2018. Loriku prej vitit 2003 deri në 2016 zhvilloi 93 ndeshje me Kombëtaren një rekord duke arritur majën me pjesëmarrjen për herë të parë në fazën finale me Shqipërinë. Cana e nisi karrierën te Paris Saint-Germain në 2002, duke kaluar pas 3 vitesh te Marseille ku mbajti edhe shiritin e kapitenit.

Lorik Cana përveç kampionatit francez ku luajti edhe me Nantes është aktivizuar edhe në Angli me Sunderland, në Turqi me Galatasaray dhe në Itali me Lazio. Ai është nga të parët futbollistë shqiptarë që luajtën në grupet e Champions League.

Tv Klan