Gjykata e Lartë ka rrëzuar sot kërkesën e Kontrollit të Lartë të Shtetit për rihapjen e hetimeve për çështjen e CEZ.

Për KLSH, marrëveshja e mirëkuptimit mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke CEZ, për të hequr dorë nga Arbitrazhi, i ka kushtuar vendit një dëm ekonomik prej 479 mln euro.

Pak ditë më parë, kreu i KLSH-së Bujar Leskaj tha se grupi i punës për arritjen e marrëveshjes së mirëkuptimit me CEZ, nuk kishte zbatuar detyrimet proceduriale që parashikonte ligji dhe nuk kishte dokumentuar negociatat, ç’ka vinte në pikëpyetje mbrojten e interesave të vendit.

Leskaj e quajti të padrejtë vendimin e Prokurorisë për pushimin e hetimeve për Ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Avokates së Shtetit, Alma Hiçka lidhur me dosjen e CEZ, ndaj ai njoftoi se kishte paraqitur në Gjykatën e Lartë ankimimin duke kërkuar vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve./tvklan.al