bajraktariGjykata e Shkallës së Parë ka lënë të lirë kreun e Interpol Tirana, Artan Bajraktarin duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

E akuzuar për fshehje të kërkesës së Inteprolit belg për ndalimin e Deputetit Mark Frroku ishte edhe Specialistja Loreta Alla, për të cilën Gjykata vendosi masën “detyrim për paraqitje” dhe pezullimin nga detyra.

Teksa arsyetimi i Gjykatës nuk është bërë ende i ditur, avokati mbrojtës i Artan Bajraktarit, Ardian Visha, tha se klienti i tij nuk ka konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës dhe se nga veprimi apo mosveprimi i tij, siç pretendonte Prokuroria, nuk ka ardhur asnjë pasojë.

Përgjegjësia në këtë çështeje duket se bie mbi Loreta Allën, për faktin se Gjykata dha masën “detyrim për paraqitje”.

Burime të pakonfirmuara bëjnë të ditur se pas ardhjes së kërkesës nga Belgjika për ndalimin e Mark Frrokut, Artan Bajraktari ia ka deleguar vartëses së tij Alla me siglimin “të veprohet”, ndërsa i ka komunikuar verbalisht që të mosveprojë. Pikërisht ky moment ngarkon me përgjegjësi Allën.

Pas firmosjes së kerkeses, mesohet se Bajraktari është larguar me pushime për disa ditë. Fshehja e dosjes Frroku, siç e ka cilësuar Prokuroria dhe arrestimi i dy zyrtarëve të Interpol Tirana, u bë shkas për dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Në letrën e dorëheqjes Didi, referuar hetimeve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, ngarkonte me përgjegjësi si Shefin e Interpolit, ashtu edhe Specialisten, duke thënë se ata kishin shkelur procedurat ligjore.

Tv Klan