KEKëshilli i Europës shpreh shqetësim serioz për aktin e torturës që çoi në vdekjen e Ilia Karelit  në burgun e Nigritas dhe i kërkon Greqisë të respektojë rekomandimet për trajtimin e të burgosurve të huaj.

Sipas zëdhënësit Andrew Cutting, Komiteti i parandalimit të torturës në Këshillin e Europës është duke e ndjekur shumë afër këtë çështje. Vetë komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës, Niels Muzniesk ka bërë  më parë deklaratën e mëposhtme:

“Jam seriozisht i shqetësuar në lidhje me rastin e torturës që çoi në vdekjen e Ilia Karelit. Burgjet dhe qendrat e ndalimit nuk mund të jenë vende ku nuk vepron ligji. Standardet e të drejtave të njeriut duhet të mbrohen edhe atje dhe ata që janë përgjegjës për sjellje të dhunshme duhet të mbajnë përgjegjësi. “Veprim i ndërmarrë nga autoritetet gjyqësore të Greqisë për të hetuar këtë rast  është një hap pozitiv, që duhet të çojë në sanksionimin shembullor të të gjithë personave përgjegjës për këtë krim. Unë i bëj thirrje qeverisë greke të sigurojë, që sjellja e përgjegjësve të zbatimit të ligjit është gjithmonë në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut dhe të marrë masat e nevojshme për të shmangur përsëritjen e akteve të tilla të papranueshme”.

Pavarësisht vështirësive ekonomike që kalon Greqia, për Këshillin e Europës, Greqia ashtu si çdo vend tjetër i kësaj organizate duhet të respektojë rekomandimet për trajtimin e të burgosurve të huaj. Një akt legjislativ që siç shpjegon dhe përfaqësuesja e Këshilit është aprovuar së fundmi nga Komiteti i ministrave të Këshillit të Europës.

Ilina Mineva, Përfaqësuese e Këshillit të Europës: 

“Ka një rekomandim shumë të rëndësishëm që është aprovuar nga Komiteti i Ministrave për trajtimin e të burgosurve të huaj. Të burgosurit e huaj përbëjnë një grup shumë të cënueshëm, duke qenë se ata ose nuk njohin gjuhën e vendit, ose nuk njohin traditat, dhe kulturën, ose nuk kanë lidhje jashtë burgjeve, ose nuk kanë vizita të familjarëve të tyre. Për më tepër, ata nuk mund të riintegrohen në shoqëri, sepse shumë prej tyre duhet të kthehen mbrapsht në vendin e tyre. Ka shumë problem me të burgosurit e huaj dhe ka disa vende që përballen me këtë sfidë. Kishte nevojë për rregulla të qarta në këtë drejtim. Ndaj kjo çështje shkoi në tryezën e ministrave,  në mënyrë që të ndihmonim shtetete anëtare të Këshillit të Europës që të zgjidhin çështjen e trajtimit të burgosurve të huaj. Presim të shihim impaktin praktik të këtyre rekomandimeve.”

Po çfarë ndodh kur një vend i Këshillit të Europës nuk zbaton rekomandimet e aprovuara nga Komiteti i Ministrave?

Ilina Mineva, Përfaqësuese e Këshillit të Europës: 

“Çështja mund të çohet te Gjyakata e të drejtave të njeriut. Është Gjykata e të drejtave të njeriut që kujdeset për të parë nëse angazhimi politik që vendet kanë marrë përsipër për zbatimin e rekomandimeve respektohet në praktikë”.

Komiteti për parandalimin e torturës mund të hartojë një raport për çështjen Kareli.

TV KLAN