Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përshëndetur deklaratën e zv/Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee në lidhje me çështjen “Tahiri”, i cili deklaroi se askush nuk është mbi ligjin.

Në një postim në Facebook, Basha shpreh mbështetjen ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve për të mos u ndikuar nga presionet politike dhe të hetojnë deri në fund dosjen “Habilaj” dhe implikimin e dyshuar të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Kryedemokrati i bën thirrje gjithashtu Kryeministrit Edi Rama që të ndalë kërcënimet ndaj prokurorëve, ndërsa shton se propagandën e tij për reformën në drejtësi tani nuk e beson më askush.

“Deklarata e qeverisë amerikane është e qartë: askush nuk është mbi ligjin, askush nuk duhet të gëzojë imunitet nga ligji, prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i shkojnë deri në fund çështjes, është përgjegjësi e qeverisë të tregojë me vepra se është kundër krimit dhe korrupsionit.

Duke përshëndetur deklaratën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Hoyt Brian Yee, i inkurajoj fuqimisht prokurorët, gjyqtarët dhe të gjithë punonjësit e drejtësisë që të mos ndikohen e mos tremben nga asnjë presion politik dhe të mos ndalen as të shkurajohen por të punojnë me kurajo profesionale dhe përkushtim atdhetar deri sa të nxjerrin të vërtetën dhe të bëjnë drejtësi në çështjen Tahiri.

Është momenti që Rama dhe shumica në pushtet të ndalin sulmet dhe kërcënimet ndaj prokurorëve, gjyqtarëve, dhe dëshmitarëve, të cilat kanë dëmtuar bërjen e drejtësisë në rastin Tahiri, dhe besueshmërinë e popullit se politikanët nuk janë mbi ligjin. Pandëshkueshmëria e politikanëve duhet të marrë fund.

Propagandën dhe llomotitjet në hava për drejtësinë nuk i beson më askush. Sot qytetarët presin të shohin me vepra se politikanët përgjigjen para ligjit dhe dënohen kur shkelin ligjin”,

shkruan Lulzim Basha në Facebook.

/tvklan.al