Mbledhja e parë e konstituimit të komisionit hetimor “Tahiri” paralajmëroi debatet e nxehta që pritet të pasojnë punën e 11 anëtarëve. Shkak u bë kërkesa e mazhorancës për ta shtyrë mbledhjen e radhës të hënën që vjen, me argumentin se duhej një javë kohë për përgatitjen e rregullores dhe planin e hetimit.

Komisioni hetimor do të verifikojë ligjshmërinë e akteve të Kuvendit, qeverisë si dhe efektet e ndërhyrjeve të këtyre dy pushteteve tek hetimi i ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndaj të cilit prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një hetim. Për shkak të materialeve sekrete që do të shqyrtohen anëtarët e komisionit do të pajisen edhe me certifikatë sigurie.

Pjesë e objektit do të jetë dhe verifikimi i rolit të Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin në Itali të Nazer Seitit, i vënën nën akuzë  si financier i grupit ‘Habilaj’. Opozita ka paralajmëruar se do të thërrasë për të dëshmuar krahas ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, edhe kryeministrin Edi Rama.

Por maxhoranca do të kërkojë hetimin e të gjithë fenomenit të kultivimit të kanabisit duke e shtrirë në kohë edhe gjatë qeverisjes së demokratëve. Kjo çështje ka qenë edhe në qendër të një takimi që kreu i grupit kuvendor të socialistëve, Taulant Balla, zhvilloi përpara mbledhjes së komisionit me anëtarët socialistë. Komisioni i cili kryesohet nga opozita ka në përbërje 11 anëtarë dhe mandati i tij 6-muajor përfundon në 5 Shtator.

Tv Klan