Si një prej ish – presidentëve më të rinj në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama pritet të gëzojë pensionim aktiv.

“The Telegraph” ka renditur disa prej mënyrave se si Obama pritet të vijojë të mbetet në sytë e publikut, edhe pas përfundimit të mandatit të tij si presidenti i SHBA -ve.

– Shkrimi i kujtimeve presidenciale

Ai tashmë është një autor shumë i suksesshëm. Shtëpitë botuese duken të gatshme të marrin përsipër botimin e raundit tjetër të kujtimeve të tij. Paradhëniet për një botim të tillë të mundshëm vlerësohen të variojnë nga 25 milionë dollarë në 45 milionë dollarë.

– Fjalime në publik

Shumica e ish-presidentëve ndihmojnë financat e tyre pas pensionimit me fjalime me pagesë në publik. Për shembull, Bill Klinton udhëheq në këtë fushë me rreth 225 000 dollarë për fjalim.

– Vijimi i profesionit të mentorit

Në vitin 2014 Obama themeloi “My Brother’s Keeper”- një iniciativë që krijon një sistem mentorimi për burrat e rinj me ngjyrë. Ai pritet të rrisë angazhimin me këtë organizatë kur të lërë Shtëpinë e Bardhë.

– Angazhimi me iniciativën Organizimi për Veprim

Obama ka po ashtu gjasa të merret edhe me Organizimin për Veprim, një iniciativë e themeluar nga skuadra që e rizgjodhi President në vitin 2012. Kjo iniciativë, mes të tjerash fokusohet në probleme të tilla si ndryshimet klimatike dhe reforma e emigracionit.

– Lektor jurisprudence

“E dashuroj ligjin, intelektualisht,” ka thënë Obama. “Pëlqej t’i zgjidh këto probleme, duke u mundur me argumente. Më pëlqen mësimdhënia, më mungon klasa dhe angazhimi me studentë.”

Opsionet më të mundshme janë Universiteti i Kolumbias, Universiteti i Harvardit apo Universiteti i Çikagos, në të cilët Obama është shkolluar apo ka dhënë mësim para se t’i futej politikës. /tvklan.al