Pse shqiptarët nuk ndryshojnë kurrë! Kryeqyteti u kthye sot në një kazan të vërtetë plehrash. Ngado që të hidhje shikimin vështroje vetëm mbeturina, të cilat ishin hedhur nga “qytetarët” që festuan për disa orë, duke harruar hallet dhe problemet e tyre.

Mijëra “qytetarë” të të gjitha moshave kishin pushtuar sheshet dhe ato pak parqe që të ofron Tirana. Por ajo që mbeti pas është për të qarë dhe për të qeshur. Askush nuk kishte guxuar t’i drejtohej koshit të plehrave, që e kishte jo më larg se 5 apo 10 metra.

Dhe pyetja që të lind natyrshëm në këto raste është, a jemi në vërtet një popull kaq i pisët dhe pa kulturë, apo fshihemi gjithmonë pas justifikimeve se është festë dhe duhet të gabojmë.

Por situata nuk është e tillë në Europë, aty ku në pretendojmë dhe “luftojmë” çdo ditë për t’u bërë pjesë. Parqet dhe sheshet e kryeqyteteve dhe qyteteve europiane janë plot çdo ditë dhe askush nuk guxon të hedhë dhe mbeturinën më të vogël, pasi përveç faktit që do marrë gjobë, ata e dinë shumë mirë që nesër do të shkojnë përsëri në atë park dhe do luajnë aty.

Ndërsa “qytetarët” tanë nuk mendojnë kaq gjatë dhe harrojnë që përsëri e nesërmja do jetë një ditë me diell dhe mund të kalojnë përsëri disa orë me fëmijët e tyre. Mos ndoshta kjo tregon se ne jemi një popull pastërtorë vetëm brenda mureve të shtëpisë?!!!/tvklan.al