Kryeministri shqiptar Edi Rama ka udhëtuar drejt Stambollit ku është takuar sot me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Takimi që sipas Ramës zgjati 90 minuta, sipas agjencisë shtetërore turke të lajmeve “Anadolu Agency” zgjati “rreth 1 orë e 10 minuta”. 

Erdogan mesnatën e mbrëmshme u kthye në Turqi nga Gjermania ku mori pjesë në samitin e G20-ës, ndërsa Kryeministri Rama ndodhet në Turqi për Samitin e 22-të Botëror të Naftës që do të mbahet në Stamboll përgjatë tri ditëve që vijnë.

Pas takimit me Ramën, Erdogan në orët e vona të pasdites mirëpriti po në rezidencën e tij edhe Presidentin e Azerbaixhanit, Aliyev.

Ndërkohë, e diela ishte një ditë e rëndësishme për Turqinë, pasi sipas “BBC” dhjetëra mijëra persona u mblodhën në protestën më të madhe kundër qeverisë së Presidentit turk që prej protestave të Parkut Gezi, katër vite më parë.

Mitingu shënoi edhe fundin e 450 kilometrave rrugë në këmbë që bëri lideri i opozitës turke, Kryetari i Partisë Popullore Republikane, Kemal Kilicdaroglu.  Rrugëtimi i tij në këmbë “për drejtësi” që nisi nga kryeqyteti Ankara për në Stamboll zgjati 25 ditë.

Dhjetëra mijëra personat që u mblodhën në sheshin në Maltepe protestuan kundër pushimeve masive nga puna dhe burgosjeve që pasuan grushtin e dështuar të shtetit vitin e kaluar, raporton “BBC”, sipas të cilës, Erdogan i ka akuzuar marshuesit për mbështetje të terrorizmit.

Vetëm për garantimin e sigurisë në qytet janë vendosur 15 000 forca sigurie, sipas “Anadolu Agency”.

Lideri i opozitës turke e quajti marshimin dhe protestën e sotme “

një lindje të re

”.

Askush nuk duhet të mendojë se ky marshim është i fundit. Është hapi i parë

”, tha Kiliçdaroglu, i cili nisi marshimin pasi një prej deputetëve të tij, Enis Berberoglu, u arrestua dhe u burgos sepse kishte publikuar dokumente që pretendonin se qeveria turke armatoste xhihadistët në Siri. Këto akuza mohohen nga deputeti opozitar.

Më shumë se 50 000 njerëz janë arrestuar dhe 140 000 të tjerë janë pushuar nga puna gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi pas grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik 2016.

Arrestimi i aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe disa gazetarëve të njohur është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Kilicdaroglu, i cili ka ecur për rreth 20 km në ditë përgjatë tri javëve të kaluara, e dënon grushtin e shtetit por thotë se spastrimet dhe gjendja e jashtëzakonshme përbëjnë një “grusht të dytë shteti”.

Ne marshuam për drejtësi, ne marshuam për të drejtat e njerëzve të shtypur, për deputetët të burg dhe për gazetarët e arrestuar. Ne marshuam sepse sistemi i drejtësisë është nën monopolin politik

”, tha ai teksa fliste para mbështetësve.  

Qeveria turke ka reaguar shumë ashpër pas grushtit të dështuar të shtetit, i cili la të vdekur rreth 260 persona.

Korrespondenti i “BBC”-së në Stamboll, Mark Lowen tha se është një ndjesi e përhapur gjerësisht se qeveria ka përfituar nga rasti të godasë të gjithë kundërshtarët pas grushtit të shtetit, dhe jo vetëm mbështetësit e tentativës. Erdogan dhe qeveria e tij mbajnë përgjegjës klerikun me bazë në SHBA, Fetullah Gylen, për grushtin e dështuar të shtetit./tvklan.al

[ngg_images source=”galleries” container_ids=”322″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]