shSinqeritetit është absolutisht një vlerë, megjithatë ekzistojnë vende, si ambienti i punës ku do të ishte mirë që të tregoheshit të kujdesshëm në atë ç’ka thoni në mënyrë që të mos shkatërroni karrierën tuaj.

Me pak fjalë, është mirë të jeni të drejtpërdrejtë e të sinqertë por në mënyrë të moderuar, sidomos nëse përballë keni shefin.

Është e nevojshme që të zgjidhni fjalët dhe të formuloni një dialog konstruktiv dhe profesional.

Për tu njohur me shprehjet verbale që mund t’ju bëjnë që të humbni pikë përpara shefit, apo më keq akoma punën, website-i “Business Insider” sjell disa nga shprehjet që nuk duhet t’i përdorni asnjëherë në ambientet e punës.

“Nuk mundem” – Kjo shprehje nënkupton mungesë besimi në vetvete si dhe një lloj hezitimi kur vjen puna për të marrë përsipër rreziqe dhe asnjë nga këto qëndrime nuk është pozitiv.

“Nuk është përgjegjësia ime”, apo nuk është puna ime. Të dyja këto fjali nënkuptojnë se, punonjësi nuk është i gatshëm të japë maksimumin për ndërmarrjen ku punon dhe në të njëjtën kohë tregon se ku punonjës nuk është fleksibël dhe i disiplinuar.

“Nuk e di” – sigurisht që nuk mund të kesh përgjigjë për çdo gjë por provoni që këtë fjali ta formuloni ndryshe dhe premtoni se do ta gjeni, në vend që të ngrini supet.

“Do të përpiqem” – Disa e shohin si një përgjigje të pranueshme, duke gjykuar pozitivisht faktin se tjetri “mundohet”, megjithatë nëse bëhet fjalë për mbylljen në kohë të një pune, sigurisht që kjo fjali nuk do të tingëllojë pozitive tek eprori juaj.

“Nuk është ajo që kam dëgjuar” – Evitoni thashethemet. Nëse nuk jeni të sigurtë për një gjë, më mirë prisni sesa të rrezikoni që të dukeni joprofesional.

“Kam bërë më të mirën e mundshme” – Kjo fjali është një mënyrë për tu justifikuar dhe vendos limit në atë që mund të bëni duke i treguar tjetrit se nuk jeni të aftë për më shumë.

“Do largohem” – Mos e kërcënoni asnjëherë se do të lini vendin e punës sepse është një sjellje aspak profesionale dhe e shtyn tjetrin që t’ju konsiderojë si jo të besueshëm.

“Mendova që…” – kjo është një fjali tipike që frustron eprorët, të cilët preferojnë më shumë të dëgjojnë që e pranon se ke bërë një gabim sesa të dëgjojnë justifikime.

“Në vendin ku punoja më parë e bënim në këtë mënyrë” – Asnjë shef nuk i ka qejf ata që thonë “unë i di të gjitha”, ndaj është e nevojshme që të procedoni në mënyrë graduale nëse mendoni se e keni zgjidhjen e një problemi.

“Nuk është faji im por është faji i …” – Mbajtja e përgjegjësive personale është themelore pasi në të kundërt do të konsideroheni si dikush që i drejton gjithnjë gishtin të tjerëve.

“Paraardhësi juaj e bënte më mirë” – Çdo bos është i bindur se metoda e tij e punës është me mirë se ajo e paraardhësit të tij, sepse tashmë është ai që drejton. Për pasojë është më mirë që të mos e sfidoni shefin.

“Nuk punoj dot me atë” – Të mos shkuarit mirë me dikë në ambientin e punës nuk është aspak pozitive, pasi presupozohet se jeni të aftë për të superuar konfliktet personale për të patur rezultate të mira në interes të ndërmarrjes ku punoni.

“Është idiot” – Rregulli themelor që duhet mbajtur mend gjithmonë është që mos flisni keq për kolegët. Nëse e bëni do të ketë pasoja për ju.

tvklan.al