Luan Rama ka reaguar sërish lidhur me listën e 124 personave që kryejnë trafik lëndësh narkotike, që disponon Kryeministri.

Nënkryetari i LSI thotë se e mirëkupton faktin se emrat nuk mund të bëhen publikë për shkak të ruajtjes së sekretit profesional, por ai i kërkon Kryeministrit të bëjë trasparencë, duke treguar nëse e ka depozituar në prokurori këtë listë dhe çfarë veprimesh po ndërmerr organi i akuzës.

Kjo pasi, sipas Ramës, mund të ndodhë që zjarret që po djegin vendin, të djegin edhe listën e kriminelëve të drogës.

Ai nxit prokurorinë të hetojë pas deklarimeve zyrtare e publike të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm.

Reagimi i plotë:

Çfarë po ndodh me listën e paralajmëruar të 124 kriminelëve të drogës?!…

E paralajmëroi Kryeministri, e pas tij e konfirmoi edhe Ministri i Brendshëm se kanë në dorë një listë me 124 emra kriminelësh që merren me kultivimin dhe trafikimin e drogës!

Po deri tani vetëm kaq! Ose të paktën për publikun asgjë më shumë…

Natyrisht që jo çdo gjë i duhet thënë publikut, pasi specifika e shërbimeve të këtij lloji imponon rregulla strikte të ruajtjes së sekretit profesional.

Por një gjë duhet të na e thotë Kryeministri:

A është, përkatësisht, a janë relatuar çështjet në Prokurori?

Dhe nga ana tjetër, çfarë po bën Prokuroria?

Kaq ditë pas shpalljes publike se ekziston një listë me emra trafikantësh të drogës, madje edhe të lidhur e suportuar prej policisë apo segmenteve të politikës, a ka ndërmarrë ajo ndonjë veprim procedurial qoftë edhe kryesisht?…

Sepse mund të ndodhë që zjarret që po djegin vendin, të djegin edhe listën e kriminelëve të drogës!

Prokuroria nuk është para ndonjë thashethemi, po para deklarimeve zyrtare e publike të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm.

Tv Klan