Frikë në të gjithë Italianë qendrore pasi është tronditur përsëri nga lëkundjet sizmike. 4 tërmete të fuqishme u regjistruan në këtë rajon dhe të gjitha mbi 5 ballë të shkallës rihter.

I pari ka rënë në orën 10:25 të së mërkurës, ndërsa më i fuqishmi ishte 5.5 ballë. Epiqendra e të gjithë tërmeteve është lokalizuar mes L’akuilas dhe Rietit, zona të cilat ishin goditur më parë nga lëkundjet sizmike.

Nga këto tërmete nuk janë regjistruar viktima por vetëm dëme materiale të shumta. Ndërsa ekipet e shpëtimit kanë bërë punën e tyre.

Një fëmijë dhe mamaja e tij janë nxjerrë nga rrënojat e një banese të shembur në Teramo nga zjarrfikësit. Ndërsa edhe 3 persona të tjerë janë shpëtuar në Arkuata del Tronto.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe presidenti italian. “Çdo lëkundje përkeqëson kushtet e qytetarëve tanë por na shton edhe përkushtimin për t’iu qëndruar atyre afër dhe ti ndihmojmë”, u shpreh Serxho Matarela. Ndërsa më tej shtoi se pavarësisht lëkundjeve të vazhdueshme, rindërtimi i zonave të shkatërruara do të bëhet.

Ndërkohë, kryeministri Paolo Xhentiloni është në kontakt të vazhdueshëm me Mbrojtjen Civile dhe ka kërkuar një angazhim më të madh të ushtrisë për të ndihmuar zonat e goditura nga tërmeti.

Situata në Italinë qendrore është shumë e përkeqësuar pasi moti dhe dëbora e rënë, që në disa zona shkon deri në 2 metra, nuk favorizon banorët e këtij rajoni.

Shumë ndërtesa janë shembur e për këtë banorët janë dërguar në hotele. Ndërsa ka pasur evakuime në shkolla, stacione trenash dhe vende të tjera publike./ tvklan.al