Nuk munguan përballjet e forta në shortin e 1/8 të Champions League i hedhur të hënën në Nion. Real Madrid – Paris Saint Germain dhe Chelsea – Barcelona janë takimet më tërheqëse të kësaj faze.

Duelet e mëparshme në ndeshjet ndërkombëtare mes tyre paralajmërojnë ndeshje të forta. Një përballje e luftuar pritet të jetë edhe Juventus – Tottenham. Hera e parë në një turne Europian që sfidohen këto skuadra. Në këtë fazë të Champions League janë 5 skuadra angleze. Basel i Taulant Xhakës pati një short të vështirë, pasi do të luajë ndaj Manchester City. Takimet do të luhen në muajin shkurt dhe mars.

Të hënën është hedhur edhe shorti i 1/16 të Europa League. Milan do të ketë si kundërshtar të radhës bullgarët e Ludogorets, ndërsa Atletico Madrid do të luajë me Copenhagen. Arsenal do përballet me surprizën Ostersund. Në këtë fazë marrin pjesë disa futbollistë të Kombëtares me ekipet e tyre.

Napoli i Elseid Hysajt duhet të luajë ndaj një tjetër ekipi që vjen nga Champions, Leipzig. Atalanta e Etrit Berishës do të ketë një sfidë të fortë me Dortmund, ndërsa Lazio e Thomas Strakoshës duhet të përballet me Steaua Beucuresti. AEK i Astrit Ajdareviç u shortua me Dinamo Kiev, kundërshtar i Skënderbeut në fazën e grupeve. Takimet do të luhen në muajin shkurt.

Tv Klan

 

 

/tvklan.al