Napoli po kërkon edhe një herë fazën e grupeve të Champions League. Skuadra ku luan edhe Elseid Hysaj fitoi mbrëmë 2 – 0 me Nice në takimin e parë të fazës play off.

Mbrojtësi i Kombëtares ishte si zakonisht titullar, duke zhvilluar një ndeshje për t’u vlerësuar. Skuadra franceze e mbylli përballjen me 9 lojtarë për shkak të kartonëve të kuq. Sukses me përmbysje për Olympiakos që fitoi 2 – 1 me Rijeka.

Ekipi i Besnik Hasit fillimisht pësoi gol në pjesën e parë, ndërsa revanshi erdhi në të dytën. Goli që vendosi gjithçka u shënua në çastet e fundit. Humbje në shtëpi për Basaksehir.

Skuadra turke u mund me rezultatin 2 – 1 nga Sevilla, ndërsa Sokol Cikalleshi qëndroi në stol për vendasit. Celtic fitoi thellë 5 – 0 me Atana, ndërsa Hapoel Be’er Sheva mundi me rezultatin 2 – 1 Maribor. Ndeshjet e kthimit do të luhen javën e ardhshme./Tv Klan