Kupa-ChampionsFaza play off e Champions League do të mbyllë sot ndeshjet e para. Pesë sfida të tjera do të nisin në ora 20:45.

Përballja më e spikatur është ajo mes Lille dhe Porto, që do ta ndiqni direkt në ekranin tonë.

Ekipi francez ka eliminuar në turin e tretë kualifikues Grasshoppers dhe synon të jetë në fazën e grupeve edhe pse përballë ka një kundërshtar si Porto.

Rene Girard (Trajner i Lille): “Golat e shënuar në fushë kundërshtare janë gjithnjë të rëndësishëm, kështu që do të përpiqemi të mos pësojmë. Porto meriton të jetë mes ekipeve më të mirë të Europës edhe pse çdo sezon ka një grup të ndryshëm lojtarësh, por gjithnjë të talentuar. Mendoj se presioni nuk është te ekipi im, por do të ishte fantastike nëse do të kualifikoheshim”.

Porto ka zhvilluar vetëm një ndeshje zyrtare këtë sezon, përballjen e fituar me rezultatin 2 – 0 ndaj Maritimo në kampionat.

Julen Lopetegui (Trajner i Porto): “Nuk jemi favoritë, pasi Lille ka luajtur disa ndeshje këtë sezon. Asnjë në ekip nuk është i sigurtë se do të jetë titular, pasi ka shumë rivalitet në grup. Lojtarët e mi duhet të japin maksimumin si individë dhe si grup. Kolegu im ka bërë një punë të shkëlqyer në këtë vite, nuk ekemi frikë kundërshtarin, por e respektojmë”.

Sot do të luhen edhe ndeshje të tjera që shërbejnë për të përcaktuar ekipet e fundit që do të luajnë në grupet e Champions League këtë sezon. Në garë për një vend është edhe kundërshtari i Skënderbeut, ekipi bjellorus BATE Borisov.

Tv Klan