Në sytë e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës të SHBA, CIA, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfëra në Europë. Edhe pse ekonomia vijon të rritet, ajo ka ngadalësuar. Një ekonomi e madhe informale dhe një infrastrukturë e dobët në energji dhe transport, mbeten pengesa. Këto janë të dhënat që inteligjenca amerikane ka përditësuar për Shqipërinë në faqen e saj zyrtare.

Përsa i përket ekonomisë, CIA vlerëson se investimet e huaja janë penguar, për shkak të sistemit komplekt të taksave dhe licensimit, korrupsionit, sistemit të dobët gjyqësor, por dhe infrastrukturës së vjetëruar, që të gjitha bashkë kanë bërë që investitorët e huaj të mos e shohin Shqipërinë si një vend tërheqës.

Sa i takon sektorit të energjisë elektrike edhe pse thuhet se furnizimi me energji elektrike i Shqipërisë është i pabarabartë vlerësohen hapat e ndërmarra nga qeveria kohët e fundit për të frenuar humbjet jo teknike dhe përmirësuar rrjetin e shpërndarjes.

Zbatimi më i mirë i kontratave të energjisë elektrike ka përmirësuar qëndrueshmërinë financiare të sektorit, duke zvogëluar mbështetjen e tij në mbështetjen buxhetore.

Në të dhënat që gjenden për Shqipërinë në faqën e CIA-s thuhet se buxheti i shtetit për 2017 synon të arrijë një tepricë të vogël primare, të cilën qeveria shqiptare ka në plan ta arrijë duke forcuar mbledhjen e taksave midis rritjes së moderuar të pagave publike dhe pensioneve.

Vendi vazhdon të përballet me borxhin e lartë publik, duke tejkaluar kufirin ligjor të saj prej 60% të PBB-së në vitin 2013 dhe duke arritur në 71% në vitin 2016.

Sipas CIA, Shqipëria është më shumë e ekspozuar ndaj krizave të mundshme të borxhit për shkak të lidhjeve të ngushta të tregtisë, remitancave dhe sektorit bankar me Greqinë dhe Italinë.

Në analizë është marrë dhe sektori i bujqësisë, ku sipas Agjencisë Amerikane të Inteligjencës janë të punësuar gjysma e shqiptarëve dhe zë 1/5 e Prodhimit të Brendshëm Bruto, por që mbetet një sektor i pafuqizuar dhe në shumë raste operohet me pajisje primitive. Titujt e pronësisë janë gjithashtu një problem serioz në këtë sektor.

Tv Klan