Një ditë pas transmetimit në emisionin “STOP” të kamerës së fshehtë, ku Drejtori i Cirkut Kombëtar merrte 550 euro për një aktivitet privat, Ministria e Kulturës e ka pezulluar Kujtim Dumin. Ndërkohë kanë dalë në dritë të tjera detaje nga “allishverishet” e kreut të Cirkut. Pasi mori paratë “cash”, Drejtori mendoi të kopsiste më mbrapa letrat e t’ia niste Ministrisë. Më pas kërkoi anulim të aktivitetit, pikë që e bëri Ministrinë të dyshojë e t’i çojë një grup auditi. I gjendur me 550 euro të pajustifikuara në xhep, Drejtori Dumi i është drejtuar Krimit Ekonomik “

pa kuptuar sesi iu gjetën këto para”.

Saimiri dhe Genti shprehen se në letrën që i ka dhënë Drejtori Kujtim Dumi “klientit”, i cili është gazetar investigativ i emisionit “STOP”, shkruhet vetëm numri i telefonit dhe email -i personal dhe jo llogaria bankare e Cirkut Kombëtar, aty ku duhet të depozitoheshin paratë për performuesit e Cirkut.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nëpërmjet një statusi në Facebook shpreh falenderimin e saj për Televizionin Klan, që hodhi dritë në dukuritë abuzive, duke treguar qartë veprimin e jashtëligjshëm të Drejtorit të Cirkut Kombëtar. Ministrja Kumbaro garanton qëndrim pa kompromis në mbrojtje të ligjit dhe detyrës publike, në marrjen e masave të menjëhershme për ndëshkimin dhe vënien para përgjegjësisë së Drejtorit dhe të çdo punonjësi që guxon të bëjë pazar me postin publik.

Mirela Kumbaro ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Drejtorit të Cirkut Kombëtar, Kujtim Dumi, pas videos së transmetuar në emisionin “STOP” ditën e djeshme, ku merrte 550 euro për një aktivitet privat. Në urdhërin numër 280, me pesë pika, i cili hyn në fuqi menjëherë, nënvizohet edhe propozimi ndaj Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Kujtim Dumit, bazuar në raportin e grupit të punës për hetimin e tij, si dhe të materialve të transmetuara në media.

Emisioni “STOP” ritransmeton kamerën e fshehtë të Kujtim Dumit, ku shfaqet duke bërë “pazare” në emër të Cirkut Kombëtar dhe duke marrë pagesën prej 550 eurosh, pa asnjë dokument shoqërues.

Drejtori i Cirkut Kombëtar ka shpërndarë një fotografi me mbishkrimin “një subjekt mashtrues” në llogarinë e tij të Facebook-ut,  ku shfaqet mandati i arkëtimit të pagesës së bërë nga gazetari investigativ i emisionit “STOP” që kërkonte shërbim nga ky institucion, por që nuk ia ka dorëzuar kurrë këtij të fundit.

Më datë 19 Maj 2017, Kujtim Dumi ka hartuar një listë me 10 numra cirku nga performuesit e shfaqjes së kërkuar për lokalin “Sebastian” te plazhi Iliria.

Ai gjithashtu i ka nisur një shkresë Ministrisë së Kulturës për miratimin dhe autorizimin e udhëtimit në Durrës të grupit artistik të Cirkut Kombëtar, të ftuar për inaugurimin e biznesit të quajtur “Sebastian”, që hap aktivitetin ditën e enjte, datë 25.05.2017, gjatë intervalit 19:00-22:00. Në këtë shkresë është specifikuar edhe shuma e marrë prej 550 eurosh, të barazvlefshme me 74250 lekë, nga të cilat 70000 lekë do të jenë të ardhura nga shfaqja për institucionin, kundrejt vleftës së biletave që do të asgjësohen dhe 4250 lekë për shpenzimet e transportit. Ndërsa, për sa i përket dietave, thuhet se do të mbulohen nga institucioni.

Më datë 22.05.2017 është dërguar një shkresë tjetër nga Drejtori i Cirkut Kombëtar për Ministrinë e Kulturës, ku kërkohet të mos merret në konsideratë kërkesa e datës 19.05.2017, lidhur me aprovimin e udhëtimit në Durrës, pasi kërkuesi i aktivitetit nuk ka rezultuar bashkëpunëtor serioz, sepse nuk ka shkuar të firmosë marrëveshjen e bashkëpunimit me institucionin, ku përcaktohen angazhimet e palëve; nuk ka firmosur mandatin e arkëtimit dhe nuk ka marrë kopjen e tij, por la vlerën e kërkuar për shfaqjen, është larguar me nxitim dhe ende nuk e ka kryer detyrimin; pas verifikimeve nuk figuron të ketë biznes me këtë emër në vendin e treguar prej tij në plazhin “Iliria”. Për këto arsye nuk e kanë parë të arsyeshme vazhdimin e bashkëpunimit me këtë subjekt inekzistent dhe për të mbrojtur dinjitetin e institucionit, më datë 22.05.2017 kanë bërë kallëzim për korrupsion në Krimin Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë. Shuma e arkëtuar dhe e ruajtur në kasafortën e institucionit është vënë në dispozicion të hetimit, si provë materiale.

Pas këtyre dy shkresave, Ministrja Kumbaro ka dërguar auditin në Cirkun Kombëtar, dy ditë para se të transmetohej kamera e fshehtë në emisionin “STOP”.

Kujtim Dumi ka kryer aktivitete të ndryshme në Tiranë, por nuk dihet nëse i ka paraqitur këto shkresa në Ministrinë e Kulturës dhe nëse paratë e marra i ka deklaruar./tvklan.al