Raqqa shpallet zyrtarisht e lirë dhe mbërrijnë pamjet e para të qytetit të filmuara me dron. Në to dallohet shkatërrimi masiv që ngjan më tepër me një film apokaliptik dhe jo me një qytet të vitit 2017. Raqqa ishte kthyer de facto gjatë 3 viteve të fundit në kryeqytetin e Shtetit Islamik dhe tani është një grumbull gërmadhash. Dhe mes tyre ka vetëm ushtarë kurdë që festojnë me pankarta të liderit të tyre Ocalan.

Ringritja e qytetit do të nisë fillimisht me ujin dhe elektricitetin dhe mbi të gjitha çminimin e vendit. Pas rindërtimit dhe rikthimit të sigurisë do të lejohet rikthimi i banorëve. Kështu ka deklaruar gjenerali Talal Sillo. Sot ushtria i dorëzoi edhe çelësat e qytetit Këshillit Civil, të përbërë nga liderët lokalë.

Sot Raqqa është një qytet fantazmë, që dikur popullohej nga rreth 300 mijë banorë dhe si e gjithë Siria ishte e mbushur me bukuri të jashtëzakonshme.

Burimi: KLAN PLUS

Përgatiti: E. Mema