gazetarja

Oljana Maloku – Gazetare: “Ashtu siç ju premtuam një ditë më parë lidhur me skandalin e biletave të shtrenjta në aeroportin e Rinasit, ne erdhëm për të pyetur Ministrin e Transportit se përse kjo ministri nuk ndërhyn tek koncesionari i Rinasit për të ulur tarifat e shërbimeve dhe të karburantit. Përse Ministria e Transportit nuk ndërhyn që edhe aeroporti i Tiranës të mbajë të njëjtat tarifa si vendet e rajonit dhe Europës. Përse shteti shqiptar mjaftohet vetëm me faktin që aeroporti i është dhënë me koncesion një kompanie të huaj. Të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje pasi siç duket ky shqetësim i madh i qytetarëve që udhëtojnë me bileta super të shtrenjta nuk është shqetësim i ministrit Haxhinasto”.

Ekspertë dhe drejtues të agjencive thonë se përgjegjëse direkte për çmimet e larta të biletave me të cilat përballen qytetarët shqiptarë janë poltikat e ndjekura nga qeveria. Ata thonë se shteti duhet të ndërhyjë në thithjen e kompanive loë cost, ku siç duket që nga mbyllja e kompanisë Belle Air, një kompani e tillë i ka munguar tregut ajror shqiptarë. Gjithashtu e nevojshme është edhe krijimi i një kompanie shqiptare dhe hapja  e aeroporteve dytësore.

 Përveç këtyre, drejtues të agjencive i bëjnë thirrje qeverisë të krijojë mekanizma për të kontrolluar çmimet pasi dhënia e një koncesioni kërkon edhe monitorim nga ana e qeverisë përsa i përket tarifave që aplikon. Ndërkohë skandali me çmimet e biletave sa vjen e thellohet. Një biletë Tiranë – Mynih në datën 1 shtator kushton 1000 euro. Ndërsa nga Bari në Mynh për të njëjtën largësi, vetëm 269 euro, pra afro 4 fish më shtrenjtë nëse udhëton nga Tirana. Ndërsa nga  aeroporti i Selanikut në Mynih që zgjat edhe më shumë udhëtimi sesa nga Tirana, sërisht çmimi është gati dyfish më lirë vetëm 347 euro.

Çmimet skandaloze të fluturimit në raport me çdo vend tjetër, duket se nuk e shqetësojnë aspak jo vetëm koncensionarin e aeroportit, por as Ministrin e Transporteve i cili nuk e dimë nëse është në dijeni që mbulon dhe transportin ajror të Shqipërisë.

Monopoli i aeroportit nuk duhet të lejojë që çmimet e shërbimeve të vendosen sipas dëshirës nga kompania që ka ekskluzivitetin. Për këtë aryse qeveria duhet të ndërhyje seriozisht që nëpërmjet një enti shtetëror të monitorojë dhe të miratojë tarifat maksimale të shërbimeve në aeroport siç miraton tarifat dhe çmimet e energjisë apo të ujit në rastet kur këto shërbime janë ekskluzive.

Tv Klan