nafta

Çmimi i naftës në tregjet globale ka arritur nivelin më të ulët që prej gushtit të vitit 2010.

Menjëherë pasi OPEC vendosi të mos reduktojë prodhimin e naftës, me qëllim frenimin e rënies së çmimit, vlera e një fuçie nafte në tregjet ndërkombëtare ra me 5 dollarë brenda ditës. Në bursat amerikane, një fuçi naftë, aktualisht tregtohet me 68 dollarë. Çmimi i naftës ka rënë me 30% prej qershorit kur ndodhej në kuotën rekord prej 115 dollarësh.

Reduktimi i prodhimit me 1.5 milionë fuçi në ditë kërkohej nga disa prej vendeve anëtare të organizatës, si Venezuela, Irani e Nigeria. Synimi ishte të ndalej ulja e mëtejshme e çmimit, që ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë në krizë të këtyre vendeve. OPEC prodhon aktualisht 30 milionë fuçi në ditë, ose 1/3 e naftës në rang botëror.

Por Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e refuzuan këtë kërkesë. Përfaqësuesi saudit Mohamed al-Mazrui e cilësoi të përkohëshme rënien e çmimit. Analistët thonë se me këtë vendim sauditët po përpiqen të ruajnë dominancën në treg, tani që Shtetet e Bashkuara kanë thuajse dyfishuar prodhimin, çka ka pasur ndikim kryesor në uljen drastike të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Goditjen më të madhe gjithësesi e merr ekonomia ruse, që më shumë se gjysmën e të ardhurave e siguron nga tregtimi i naftës dhe gazit. Rënia e çmimeve i shtohet trysnisë së madhe të sanksioneve ekonomike të perëndimit. Rubla ruse u zhvlerësua me 2.5%.

Vendimi i fundit i OPEC-ut shihet edhe si gjeopolitik për të parë se kush do të rezistojë më mirë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që respektivisht prodhojnë nga 10 milionë fuçi në ditë.

Tv Klan