karburant

Një litër naftë në Shqipëri është 36% më e shtrenjtë se mesatarja globale. Të dhënat bëhen publike nga një prej agjencive më të mëdha të matjes së çmimit të naftës në botë Global Petrol Price.  Në renditjen e 181 vendeve nga çmimi më i ulët i naftës tek ai më i larti, Shqipëria renditet në vendin e 134.

Përllogaritjet e kësaj jave të Global Petrol Price tregojnë se, aktualisht çmimi mesatar i naftës në rang global është 0.97 USD për litër, ndërsa në Shqipëri e njëjta sasi kushton 1.31 USD ose e konvertuar në lekë në kohën kur dollari është forcuar ndjeshëm, në Shqipëri 1 litër naftë kushton afërsisht 165 lekë.

tabela-1

Siç duket edhe nga tabela, çmimi i lartë i naftës në Shqipëri është njëlloj si në disa vende të fuqishme si Franca, Belgjika e Gjermania të cilat edhe ato si Shqipëria, e kanë 1 litër naftë 1.31 USD.

Më lirë nga vendet e rajonit e ka Maqedonia, ku 1 litër naftë kushton vetëm 0.98 USD për dollarë. Por nuk mbetet pas edhe Mali i zi i cili e ka naftën më lirë se Shqipëria, me vetëm 1.14 dollarë për litër.

tabela-2

Gjithashtu më lirë se Shqipëria çmimin e naftës e ka edhe Greqia me vetëm 1.29 dollarë për litër.

Sipas Global Petrol Price, çmimet më të shtrenjta të naftës i kanë vendet tejet të zhvilluara, ndërsa vendet prodhuese dhe ato tipikisht të varfra kanë çmimet të ulta. Por në këtë rast Shqipëria nuk futet tek vendet tejet e zhvilluara.

Nëse në Francë, Belgjikë apo Gjermani ky çmim justifikohet edhe me pagat e larta që kanë këto vende, në Shqipëri të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se paga mesatare është vetëm, 37.305 lekë, sipas aktivitetit ekonomik.

Sipas Global Price diferencën më të madhe të çmimeve ndërmjet shteteve e bën sistemi i taksimit. Kjo duket se, shpjegon pjesërisht pse çmimi i naftës në Shqipëri është ndër më të lartit edhe në rang global, veçse në Rajon.

Çmimin më të ulët të naftës nga 181 vendet e analizuara, e ka Venezuela, me 0.01 dollarë për litër. Ndërsa më të shtrenjtin e ka Zvicra me 1.76 USD për litër

Tv Klan