corriereE përditshmja italiane “Corriere dela Sera”, në një shkrim mbi prapaskenat e samitit Euro – Aziatik të mbajtur në Milano, shkruan se një delegacion shqiptar, sapo mbaroi samiti u drejtua për në kazinonë e San Remos.

“Një grup i madh i delegacionit shqiptar, sapo ka gjetur rastin, shkoi në Liguria. Jo për detin, por për kazinonë e Sanremos” ,thuhet në fund të shkrimit që mban datën e djeshme.

Shkrimi i gazetës italiane ka shkaktuar polemika në Shqipëri.

Partia Demokratike e denoncoi si skandal të rëndë dhe e quajti arrogancë të qeverisjes braktisjen e Samitit për të shkuar në kazino  nga delegacioni që sipas saj drejtohej nga Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

nebi

Oriola Nebijaj – Zëdhënëse e PD-së: “Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Ministrja e Mbrotjes Mimi Kodheli, ka braktisur punimet për të shkuar në kazinotë e Sanremos. Partia Demokratike e denoncon ashpër këtë skandal të rëndë dhe e cilëson sjelljen e delegacionit shqiptar si të papërgjegjshëm. Mbathja nga punimet e këtij samiti të rëndësishëm për të shkuar në Kazino, tregon arrogancën e qeverisjes së vendit, që nuk ndalet para asnjë lloj etike dhe norme zyrtare. Ky skandal vjen pas zhdukjes një javë të Kryeministrit Rama jashtë vendit, ku nuk bëri transparencë, ku nuk tregoi se ku shkoi dhe as kë takoi”.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli shfrytëzoi pjesëmarrjen e saj në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të deklaruar për mediat se ajo nuk ishte pjese e delegacionit dhe se shqipëria nuk ishte përfaqësuar në këtë samit.

Ajo e quajti shpifje shkrimin e gazetës italiane dhe tha se ndaj saj, Ministria që ajo drejton, do të ngrejë një padi.

kodheli

Mimi Kodheli – Ministre e Mbrojtjes: “Zyra ime ndërkohë është duke përgatitur padinë për lajmin që “Corriere della Sera” ka nxjerrë. Shqipëria nuk është pjesë, për fat të keq, e atij samiti. Ai samit është midis BE- së dhe vendeve të Azisë, Shqipëria nuk është pjesë e atij samiti, nuk ka pasur asnjë delegacion që të marrë pjesë atje”.

Corriere della Sera nuk e përmend Ministrinë e Mbrojtjes dhe nuk saktëson nëse delegacioni ka qenë me përfaqësues të këtij dikasteri.

Ndaj padia e Ministrisë së Mbrojtjes duket e pakuptimtë.

Por burime zyrtare të saj thanë se ky dikaster e ka marrë përsipër ta bëjë ajo padinë në emër të Qeverisë Shqiptare.

Tv Klan