Prokuroria e Veronës ka nisur hetimet intensive për kompaninë Serenissima, e cila u kontraktua disa vite më parë për të ndërtuar By Passin e Fierit dhe të Vlorës.

Edhe pse fitoi një kontratë me vlerë 80 milionë euro, firma italiane zvarriti punimet duke lënë kantieret hapur, ndërsa një pjesë të punimeve e bëri përmes nënkontraktorëve shqiptarë, të cilëve nuk u ka dhënë 18 milionë euro.

Corriere di Verona, pjesë e të përditshmes Corriere della Sera, shkruan se prokuroria në Itali ka vendosur të hetojë jo vetëm pistën e mashtrimit në bashkëpunim për këtë shoqëri, por edhe katër krime të tjera: komunikime me përmbajtje të rreme, veprime paragjykuese për kreditorët, mashtrim mbi gjendjen pasurore dhe korrupsion.

Corriere di Verona tregon historinë  e mashtrimit të Serenissima, e cila ka qenë pjesë e shoqërisë italiane A4 Holding. Hetimet janë shtrirë, shkruan gazeta edhe te pronarët e saj dhe te aksionerët aktualë, të cilët ia blenë 60% të aksioneve me vlerën 1 euro. Autoriteti Rrugor në Shqipëri ka vendosur të prishë kontratën për ndërtimin e dy by-passeve, “por do të jetë e vështirë që çështja të mbyllet me kaq” e mbyll artikullin Corriere di Verona./Tv Klan