Ç’po ndodh sot me zgjedhjet?



Nga Blendi Fevziu –

Kanë mbetur më pak se 48 orë për të gjetur një zgjidhje, por politika shqiptare është në një ngërç të shumëfishtë. Edhe pse data e regjistrimit, e parashikuar për në 29 Prill si pasojë e fundjavës dhe pushimit të datës 1 Maj mund të shtyhet deri në datën 2 maj, sërish zgjidhja nuk ngjan e thjeshtë. Po cilat janë pikëpyetjet e gjithë ngërçit dhe si po tentohen të zgjidhen ato?

I pari është refuzimi i opozitës së bashkuar për të hyrë në zgjedhje dhe refuzimi i PD për t’u regjistruar në KQZ. Nëse PD i shkel afatet ligjore, praktikisht çdo shpresë e mazhorancës që do gjejë një zgjidhje për ta futur atë në zgjedhje dështon! Në këtë rast, mazhoranca duhet të marrë një vendim. PS është e vendosur për të shkuar në zgjedhje më 18 Qershor. Po kështu edhe Libra. Por LSI dhe PDIU kanë deklaruar që pa opozitën zgjedhjet janë një farsë. Pra që pa të nuk do të ketë zgjedhje. Vështirë që këto dy parti t’i qëndrojnë vendimeve të tyre dhe do rikthehen në zgjedhje, por tani del një problem i dytë.

I dyti, është përfundimi i afatave ligjore për regjistrimin e koalicioneve. LSI dhe PDIU nuk u regjistruan në koalicione duke menduar se do gjendej një marrëveshje me PD. Tani që kjo s’u bë, ato e kanë humbur kohën ligjore dhe të dyja po kërkojnë nga Presidenti që ta rivendosin në afat regjistrimin përmes një akti normativ që duhet të firmoset nga Presidenti. Nuk dihet se sa kjo do të ndodhë, por dihet se PS është komode në këtë rrethanë. Ajo po i shtyn forcat që të hyjnë të gjitha më vete në zgjedhje dhe që koalicioni të ndërtohet pas zgjedhjeve. Por pas zgjedhjeve, në mungesë të opozitës, Rama do ketë aq karrige sa koalicioni do ishte një garanci politike, ose një lëmoshë, por jo një domosdoshmëri. Sepse në mungesë të PD, Rama me siguri do ketë vetë më shumë se 71 deputetë.

Këtu lind problemi i tretë. Si do bëjë PS që të sajojë një opozitë parlamentare? Me gjasë, ajo do mundohet të stimulojë Librën e Ben Blushit, partinë e re të Gjergj Bojaxhiut, të tentojë të tërheqë në zgjedhje disa nga partitë e vogla opozitare që ende janë me Bashën dhe nisma individuale të ish deputetëve të PD që po mundohen të regjistrohen si kandidatë ndividualë. Po kështu, do mundohet të shtyjë në një opozitë të sforcuar Partinë e Bamir Topit, për të formuar një orkestër të çoroditur opozitare që ka vetëm një grup të strukturuar dhe të mirëfilltë opozitar, atë të Blushit.

Por të treja këto pikëpyetje, kanë një tjetër pikëpyetje më të madhe. A do ketë mundësi mazhoranca të zhvillojë zgjedhje pa opozitën aktuale. Të treja këto pika, mund të konsiderohen të paqena, nëse PD, ashtu siç ka premtuar nuk do të lejojë të zhvillohen zgjedhje, fillimisht në Kavajë më 7 Maj dhe më pas në gjithë Shqipërinë.

Ndaj, në një situatë të paprecedent për 27 vitet e pluralizmit në Shqipëri, e vetmja gjë që mund të thuhet është pritja e ngjarjeve dhe jo parashikimi i tyre. Ç’do të ndodhë nesër?

Kategori
AnalizaTe funditTë gjitha
1 Koment
  • E DUA SHQIPERINE SI GITHE EVROPA
    27 Prill 2017 at 15:40
    Përgjigju

    Blendi, nuk eshte e veshtire te dallohet qe analiza jote ka ngjyrim ndoshta jo blu te theksuar (si ngjuara e PD-se), por blu disi te zbehte.

    Qytetatet (e qyteteruar ose te evropianizuar), nuk duan t’ia dine aspak per ngerce politike.

    Se pari, rrefuzimi i PD & Co, eshte skandaloz dhe i pajustifikueshem. Ti nuk thua asnje gje per kete si qytetar i ketij vendi. Pse PD-ja nuk bojkotoi zgjedhjet kur ne Lazarat mbillej hashash sikur te ishte domate dhe speca? Ku shkonin parate e hashashit te Lazaratit?

    Se dyti, a mos valle qenka merak i madh i shqiptareve se kush do ta formoje qeverine dhe kush do t’i beje asaj opozite?
    Apo qe parlamenti i ri te coje peerpara reformen e bllokuar ne drejtesi dhe te hape negociatat me BE-ne? Mua personalisht nuk me intereson kush fiton zgjedhjet.

    Se treti, mos ia qaj hallin PS-se se kush do t’i beje opozite. Opozitaret e qyteteruar nuk mungojne. Ne fakt eshte PD-ja qe i trembet daljes se nje opozite te qyteteruar. Ne fakt eshte vete PD-ja qe ka larguar njerez shume te spikatur nga gjiri i saj, te cilet kane me shume potencial qeverises ne krahasim me disa deputete ne PD, PS e LSI.

    Pikepyetja me e madhe: Kush jane partite politike qe te pengojne nje popull te tere per te votuar? A distancohesh t’i nga thirrjet per dhune dhe per trazira qe dalin nga cadra e PD-se? Te bllokosh rruget eshte dhune dhe t’i cbllokosh ato eshte nje domosdoshmeri per nje demokraci. Ti e di shume mire qe liria e militanteve te PD-se mbaron atje ku shkelet liria jote dhe e imja per te udhetuar lirshem dhe per te votuar lirshem.

    Gjithashtu krahasimi i situates politike tani me vitin 97 nga ana disave eshte skandaloz. Para 20 vitesh kishim mosbindje popullore ndaj qeverise se Z. Berisha per shkak te humbjes se parave te shqiptareve ne firmat piramidale te trumpetuara si te suksesshme nga qeveria e atehershme. Dhe situata atehere kaloi ne dhune kur qeveria dergoi 5000 police militante per te rrahur qytetaret e vet ne Vlore.

    Sot situata eshte krejt ndryshe. Nuk ka shqiptar qe nuk e di se sot kemi te bejme vetem me nje krize politike (e mbajtur gjalle kryesisht nga PD-ja) e cila po perpiqet te flase ne emer te popullit dhe po perpiqet ta perfshije popullin ne lemshin e vet. Me sa po shohim, dhe fale Zotit, kjo deri tani nuk po ndodh.

    Edhe une kam pakenaqesite e mia me kete qeveri por do ta tregoj ate me vote.

    Jam i bindur qe simpatizantet e qyteteruar te PD-se jane kunder dhunes dhe nuk kane nevoje te ngrejne cadra dhe te bllokojne zgjedhet me dhune. Simpatizante te PD-se ka shume here me shume sesa jane ne cader, dhe revoltat popullore kunder qeverise nuk kane nevoje per cader (fakti flet vete me cadren qe eshte bosh).

    Shpresoj qe shumica dermuese e shqiptareve te distancohen nga dhuna dhe qe shteti te kryeje detyren kunder protestuesve te dhunshem ne javet ne vazhdim.

  • Përgjigju

    *

    *