“Media ka rol të pazëvendësueshëm në zbulimin e ngjarjeve që janë larg syrit të publikut dhe agjencive ligjzbatuese”

Ministri Bledi Çuçi priti në një takim një grup gazetarësh të kronikës në mediat vizive kryesore në vend. Takimi kishte formën e një diskutimi të hapur për konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes medias dhe Ministrisë së Brendshme duke përfshirë gjithashtu institucionet e saj të varësisë si Policia e Shtetit, IKMT dhe SHÇBA, me qëllim final informimin e qytetarëve dhe transparencën për çështje me interes publik.

Për shkak të natyrës së punës që kryejnë institucionet në varësi të Ministrisë së Brendshme, intesiteti i ngjarjeve dhe lajmeve është i lartë. Në këtë kuptim, është në interes të të gjitha palëve të ketë edhe një raportim gjithnjë e më korrekt.

Ministri Çuçi falënderoi gazetarët për praninë e tyre në këtë takim dhe nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të medias në zbulimin e ngjarjeve që janë larg syrit të publikut apo të agjencive ligjzbatuese. Ministri vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e gazetarisë investigative si një formë bashkëpunimi mjaft efikase në luftën kundër krimit të organizuar e sidomos korrupsionit të zyrtarëve shtetërorë./tvklan.al