Për Ilir dajën fitorja ndaj Partizanit të Beogradit do të ishte një superdhuratë e ekipit, një ditë para ditëlindjes. Vetë tekniku në konferencën për shtyp tha se do të përpiqet të bëjë një lojë të kujdesshme.

“Do të kërkojmë të jemi pragmatistë dhe të marrim 3 pikët, por që të bëjmë këtë, duhet të komandojmë pjesën më të madhe të lojës dhe të mos i lejojmë kundërshtarët të ndërtojnë raste të rrezikshme.”

Dajës i intereson vendi i dytë në grup dhe për këtë është përpjekur ta mbajë skuadrën larg tensionit që është i pashmangshëm para një ndeshjeje të tillë.

“Ka një lloj tensioni të jashtëm, por ne kemi gjithë javën që e përgatitim ekipin për ta shmangur këtë dhe për t’u përqendruar te loja. Mbështetjen e publikut duhet ta shpërblejmë vetëm në fushën e lojës, duke fituar takimin, pa menduar për gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me sportin”, tha Daja.

Nga ana tjetër trajneri i partizanit të Beogradit, Miroslav Dukiç tha se nuk i druhet atmosferës që do të krijohet në Elbasan Arena, por Skënderbeut si një skuadër e fortë.

“Skënderbeu është një ekip agresiv. Luajnë lojë sulmuese dhe janë të fortë në mbrojtje. Do përpiqemi për rezultat pozitiv, por luajmë kundër një ekipi që kryeson kampionatin. Ne gjithnjë futemi në fushë për fitore, por barazimi nuk është dështim sepse Skënderbeu është ekip i fortë.”

Partizani i Beogradit ka zhvilluar edhe stërvitjen e zakonshme para ndeshjes, në stadiumin Selman Stërmasi./tvklan.al