Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja deklaron publikisht se Skënderbeut iu mohua titulli kampion. Në konferencën para ndeshjes me Partizanin ai foli për skenarë që pamundësuan marrjen e trofeut për të 7 vitin radhazi për korçarët.

“Të gjithë, duke filluar nga tifozët duhet të jenë krenarë për ekipin e Skënderbeut, sepse ishim deri në fund për të fituar trofeun pavarësisht se nuk na lanë”, tha Daja.

Pa përmendur emra konkretë, Daja i sheh zhvillimet e fundit në kampionat të ndikuara nga politika.

“Besoj që në Shqipëri politika pasi ka bërë punën e saj shumë mirë, përzihet keqas edhe te sporti, por duhet që të rri sa më larg që të jetë e mundur, që komunitetin e futbollit mos ta ngatërrojë me pjesën tjetër të saj.”

Të shtunën korçarët do të luajnë sfidën e fundit të kampionatit me Partizanin. Në këtë takim tekniku i korçarëve do të ketë shumë mungesa përfshi edhe të ndëshkuarit nga Disiplina Salihi e Osmani. Korçarët synojnë ta mbyllin sezonin me Kupën e Shqipërisë, ku përballë do te kenë Tiranën, një sfidë që do të luhet të mërkurën në Elbasan Arena.

/Tv Klan