Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian paraqet jo vetëm një lajm të trishtë për BE-në, por edhe për Kosovën dhe të gjitha vendet që aspirojnë integrimet evropiane, ka thënë Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Ministri Çollaku ka deklaruar se kjo ditë është e trishtuar sepse një shtet shumë i fuqishëm, një demokraci e konsoliduar, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, në mënyrë krejt legjitime dhe demokratike ka vendosur që ta lë Bashkimin Evropian dhe i vetëm të vazhdojë tutje.

“Sa i përket reflektimit që do të ketë në Bashkimin Evropian, ndoshta është herët të flitet, por mendoj që BE-ja nuk do të jetë e njëjtë pa Britaninë e Madhe”

, ka thënë Çollaku.

Kjo dalje, ka nënvizuar ai, do të mund të nxisë reagime të njëjta edhe tek shtete tjera anëtare të BE-së.

“Uroj që kjo të mos ndodhë, sepse mendoj që rrezikimi i funksionimit të BE-së me dalje eventuale të shteteve tjera anëtare do të ishte një fatkeqësi e madhe për Evropën dhe gjitha shtetet tjera që nuk janë anëtare, por aspirojnë këto integrime, siç është Ballkani Perëndimor”,

 ka theksuar Çollaku.

Në Kosovë, sipas tij, është punuar shumë për reformat të cilat si qëllim kanë përafrimin e vendit me Bashkimin Evropian.

Jo vetëm BE-ja, por edhe Kosova po e humb një shtet aleat brenda BE-së, ka theksuar Çollaku.

“Ne po humbim një anëtar të BE-së, që ishte ndër shtet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ka folur hapur për nevojën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe tani ne nuk e kemi më këtë aleat, sikurse që nuk e ka i gjithë Ballkani Perëndimor”

, ka thënë Çollaku.

“Imagjinojeni se çfarë mesazhi dërgon dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja për neve, shtetet që jemi aspirante dhe kemi pretendime të bëhemi pjesë e BE-së”,

është shprehur ai.

Përveç dimensionit ekonomik, dalja nga BE-ja mund të nxisë edhe efekte politike, në radhë të parë me rifuqizimin e ideve në Skoci e Irlandë të Veriut për shkëputje nga Britania e Madhe./tvklan.al