DASHDepartamenti Amerikan i Shtetit u heq të drejtën zyrtarëve të lartë nën  varësinë e tij të marrin pjesë në sfidën e hedhjes se kovës me ujë me akull në kokë, që kohët e fundit po përhapet me ritme të shpejta, si pjesë e një fushate kundër sëmundjes ALS, Skleroza Laterale Amiotrofike.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit Meri Harf, gjatë një konference për shtyp në Uashington u shpreh se rregullat e etikës për qeverinë amerikane ua ndalojnë zyrtarëve amerikanë në përgjithësi të shfrytëzojnë postin dhe profilin e tyre publik për fushata që kanë të bëjnë me përfitime fondesh, sado i mirë të jetë qëllimi.

Kodi i etikës së administratës amerikane ndalon zyrtarët e lartë të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme për grumbullime fondesh.

Komentet e zëdhënëses së departamentit amerikan të shtetit erdhën pas lajmit se ambasadori amerikan në Izrael, Daniel Shapiro, ishte bërë pjesë e sfidës së “kovës me akull”.

I nominuar nga njerëz të shquar të politikës dhe artit ka qenë edhe Presidenti amerikan Barak Obama, i cili gjithësesi nuk pranoi të bëhej pjesë e kësaj sfide.

Hedhja e kovës me ujë dhe me akull në kokë është një nismë mbarë botërore për të grumbulluar fonde në ndihmë të personave që vuajnë nga Skleroza Laterale Amiotrofike, një sëmundje që prek trurin dhe palcën kurrizore.

Personat që marrin pjesë në të kontribuojnë me të paktën 100 dollarë, në mënyrë që videoja e tyre të publikohet në internet. Ata gjithashtu u shpallin sfidë personave të tjerë, që edhe ata të japin të njëjtin kontribut.

I pari person i jetës publike që iu bashkua nismës ishte themeluesi i “Facebook” Mark Cukerberg. Nominimit të tij iu përgjigj një nga më të pasurit e botës, themeluesi i Microsoft, Bill Gates. Kauza po bën bashkë shumë njerëz të famshëm deri tek ish-presidenti amerikan, Xhorxh Bush.

 

TV KLAN