Departamenti i Shtetit shprehu të premten mbështetjen për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Donald Lu.

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse veprimet e Ambasadorit Lu në Tiranë përfaqësojnë qëndrime personale dhe jo të Departamentit të Shtetit, zëdhënësi në detyrë Mark Toner u shpreh se; 

“Politika e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri është të mbështesë anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe kryerjen e reformave të nevojshme për arritjen e këtij synimi. Kjo përfshin reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.”

Reagimi i Departamentit të Shtetit vjen dy ditë pas shkëmbimit të akuzave publike mes Ambasadorit Lu dhe Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Ambasadori Lu e akuzoi prokurorin e përgjithshëm për pengim të reformës në drejtësi. Zoti Llalla u kundërpërgjigj duke e akuzuar zotin Lu për shantazh dhe ndërhyrje ndaj institucionit të tij.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha të premten se;

“Ambasadori Lu dhe ekipi i tij 

kanë punuar në partneritet me autoritetet shqiptare dhe me shoqërinë civile për të realizuar politikat dhe synimet e Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Shtetit ka besim të plotë tek ambasada dhe ambasadori në Tiranë”,

u shpreh zëdhënësi.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje me forcë gjithë partive të respektojnë shtetin ligjor dhe procesin demo

kratik. Shtetet e Bashkuara duan të shohin një Shqipëri të fortë dhe të integruar plotësisht në familjen Euro-Atlantike”,

përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner.

/Zëri i Amerikës