Fituesja e episodit të kësaj të diele në “Lufta e Nuseve”, që transmetohet në Televizionin Klan është Semi.

Fiziologia nga Pogradeci, e cila jeton e punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mori vlerësimet maksimale nga dy rivalet e saj.

Në garë këtë mbrëmje ishin Jona, Semi dhe Paola.

Jona, një juriste e bukur, sykaltër e gojë ëmbël që nuk e fsheh pasionin për të fejuarin. Juli, pinjoll i familjes Tufina të Tiranës, ka një problem me Jonën. Ata na treguan sesi problemi i tyre e ka emrin Juventus. Sa herë ka ndeshje, Juve edhe Juli ka halle me Jonën.

Përveç kësaj, të dy i pëlqejnë udhëtimet. U shijojnë ato të minutës së fundit me shumë shokë e miq që garantojnë aventura.

Jona është nga ato vajza që nuk mund t’ia besojë askujt detajet e elegancës. Në momentet e fundit para dasmës, vetëm një orë përpara ceremonisë së martesës, ajo zbriti në sallë për të kontrolluar lulet në pjesën e pasme të karrigeve të dasmës dhe gjeti probleme.

Dasma e tyre ishte në Iliria Palace, në fund të Korrikut që shkoi.

Konkurentja tjetër, e cila u shpall edhe fituese ishte Semi. Ajo jeton në Boston – Massachusetts, por Pogradeci është vendlindja dhe shpirti i saj.

Vetëm në Shtete e Bashkuara të Amerikës mund të ndodhë që në një hapësirë të vogel të gjesh origjinat më të skajshme të të gjithë globit. Kur Semi takoi Singun, gjithë humor e pozitivitet nuk ia merrte mendja që ai vinte nga Himalajet e largëta. Madje, ajo mendonte se Himalajet janë koncept gjeografik dhe jo realitet. Kur babai i Semit mori vesh për origjinen e dhëndrit të ardhshëm u pataks.

“Po ku e gjete moj bijë!

” – tha ai gjithë pezm. Por, kur u përball me të ishte tjetër gjë.

“Ky qenka si ne”

.

Dasma e tyre u bë në Hotel Enkelana në Pogradec, me një ceremoni në muzg, ku dekori më i bukur ishte Liqeni dhe dielli që mbytej në të… Emocione, atmosferë dhe një dasmë për t’u mbajtur mend.

Çifti tjetër në garë ishte Paola dhe Ilia.

Ilia nga Devolli pas një periudhe të gjatë emigracioni nuk zgjodhi të kthehej në vendlindje, por hapi biznesin e tij në Lushnje. Paola nga Fieri, pas mbarimit të studimeve për Marrëdhënie Publike në kryeqytet, filloi punë në biznesin e familjes së Ilias.

Jo me shikim të parë, përkundrazi, me këmbënguljen stoike të Ilias, dashuria e tyre mori jetë dhe u konkretizua në martesë.

Dasma e tyre ishte në Resortin Blerimi në Lushnje. Një resort fantastik, i dizenjuar mrekullisht për evente. Ushqimi ishte jashtë çdo parashikimi. /tvklan.al