Gianni De Biasi u prezantua mesditën e së hënës si trajneri i ri i Alaves, skuadër që renditet e parafundit në La Liga. Atij i është besuar të shpëtojë ekipin nga rënia dhe për këtë duhet të motivojë ekipin ashtu siç bëri me Kombëtaren Shqiptare.
“Duhet të gjithë të reflektojmë. Të bëjmë atë që Alaves bëri sezonin e shkuar. Na pëlqen që gjërat të jenë të lehta, në jetë asgjë nuk është e lehtë. Çdo gjë duhet të fitohet çdo ditë. Besoj se të njëjtën bisedë bëra edhe te Shqipëria.”
Ish-trajneri i Kombëtares tregoi pse vendosi të jepte dorëheqjen nga kombëtarja shqiptare pas më shumë se 5 vitesh dhe pjesëmarrjes historike në finalet e Euro 2016.
“U largova nga Shqipëria, pasi në botëror nuk mund të shkonim. U largova që të vinte një trajner, që të njihte grupin e lojtarëve në krahasim me mua kur shkova në Shqipëri. Mendoj se ishte një gjest dashurie ndaj atij vendi. Kam marrëdhënie të mira me të gjithë atje, por vjen një moment që mbaron gjithçka dhe këtë e vendosa pas fitores me Izraelin.”
Gianni De Biasi do të punojë te Alaves me Marco Veronese, i cili ishte për pak kohë edhe ndihmësi i tij te Shqipëria dhe përgatitësin atletik Alberto Belle. Debutimi i 61-vjeçarit do të jetë këtë fundjavë ndaj Levante, skuadër të cilën e drejtoi në sezonin 2007-2008. /Tv Klan