Kely

Gazetarja e Fox News, Megyn Kelly e vuri në vështirësi, Donald Trump, gjatë debatit mes republikanëve, të cilët synojnë Shtëpinë e Bardhë. Ai nuk priti shumë. Përmes një statusi në Twitter,  tha se si Kelly ashtu dhe moderatorët e tjerë nuk ishin “profesionistë të mirë”.

Kelly e sfidoi biznesmenin amerikan me pyetjen: “I ke quajtur femrat që nuk i pëlqen “dosa të majme”, “llucë”, “bushtra” dhe “kafshë të shpifura”…”

Ai u përgjigj se këto epitete i përdorte vetëm për aktoren Rosie O’Donnell, duke thënë se korrektësia politike, është një nga problemet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara.

Trump ishte njëri prej 10 kandidatëve që morën pjesë në debatin e parë republikan. Ata ishin përzgjedhur nga Fox News, mbështetur mbi sondazhet e fundit kombëtare.

New York Times shkruan se Trump ishte i papërgatitur, por personaliteti i tij e bëri të dominojë debatin.

Çfarë revoltoi audiencën ishte pohimi i Trump, se mund të kandidatonte edhe si i pavarur, duke treguar lidhjen jo të fortë me Partinë Republikane.

Vlerësimet pozitive shkuan për Senatorin e Floridës, Marko Rubion dhe atë të Teksasit, Ted Krus, megjithëse patën mundësi të pakta për shkëlqyer.

Rubio mori shumë duartrokitje kur vlerësoi kandidatët e Partisë Republikane dhe goditi kampin tjetër duke thënë se “Demokratët mezi mund të gjejnë një”.

Ish – Guvernatori i Floridës, Xheb Bush mori shumë pak mbështetje, madje ABC News tha se ai u ndje rehatë në hije të debatit.

Debati i Klivelendit është i pari në kampin republikan, do të ketë të paktën edhe 8 debate të tjerë, që do t’u vijnë në ndihmë votuesve për t’i njohur më mirë kandidatët.

Tv Klan