Komisioni-HetimorKomisioni Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit pas debateve mes palëve vendosi që ditën e mërkurë të nisë nga puna për shqyrtimin e dokumentacionit të mbërritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe më pas të vijohet me seancat dëgjimore.

Ky propozim i bërë nga kryetari i Komisionit, Arben Ristani më herët u kundërshtua nga përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët kërkuan që paralelisht me këtë proces të mbaheshin edhe dëgjesat me personat që do të thirreshin për të dëshmuar, duke nisur nga ish – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Për deputetët e opozitës mungesa e një pjese të dokumentacionit dhe fakti që më parë komisioni nuk ishte njohur me materialin voluminoz e bënte të pamundur mbajtjen e seancave dëgjimore.

Sipas opozitës në 384 dosjet e mbërritura mungon baza ligjore lidhur me emërimet, shkarkimet si dhe urdhërat për lëvizjet e disa prej ish- krerëve të lartë në Policinë e Shtetit.

Edhe pse 6 prilli është afati kur komisioni duhet të paraqesë raportin përfundimtar, ende palët nuk kanë miratuar planin hetimor.